Loading

Shejkh AbduRrezzak el Bedër thotë:

Sa i takon hadithit (kudsij) për të cilin po flasim, ai ndodhet tek Sahihu i Buhariut, dhe njerëzit e dijes kanë thënë për të se është hadithi më i saktë i transmetuar nga Profeti ﷺ në lidhje me përmendjen e eulijave. Gjithashtu, kanë thënë se është hadithi më i nderuar i transmetuar nga Profeti ﷺ në lidhje me çështjen e eulijave. Ky hadith njihet tek njerëzit e dijes me emra të tillë si “hadithi i eulijave” apo “hadithi i uelijut”. Është hadith i shquar dhe i njohur, i transmetuar nga imam Buhariu në librin e tij Sahih:

Transmetohet nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, i cili thotë:

Ka thënë Profeti ﷺ:

Me të vërtetë, Allahu i Lartësuar thotë (kuptimi shqip):

Kush armiqëson një uelij (mik) Timin, Unë i kam shpallur luftë! Mes atyre me të cilat robi Im më afrohet, nuk ka gjë më të dashur për Mua sesa ato që ia kam bërë detyrë (zbatimi i urdhëresave dhe largimi nga ndalesat). Më pas, robi Im vijon të afrohet vazhimisht tek Unë me adhurime vullnetare, derisa Unë ta dua atë. Kur ta dua, do bëhem dëgjimi me të cilin ai dëgjon, shikimi me të cilin sheh, dora me të cilën godet dhe këmba me të cilën ecën! Nëse më kërkon dicka, do t’ia jap, dhe nëse më kërkon mbrojtje, do ta mbroj!

Ky është një hadith madhështor lidhur me përmendjen dhe cilësitë e eulijave të Allahut subhanehu ue teala. Kjo sepse Allahu përmendi në këtë hadith kudsij:

“Kush armiqëson një uelij (mik) Timin, Unë i kam shpallur luftë!”

Të vjen natyrshëm pyetja: O Allah, kush janë këta eulijatë e Tu, armiqësuesit të të cilëve i ke shpallur luftë?

Përgjigjia ka ardhur në hadithin kudsij:

“Mes atyre me të cilat robi Im më afrohet, nuk ka gjë më të dashur për Mua sesa ato që ia kam bërë detyrë (zbatimi i urdhëresave dhe largimi nga ndalesat). Më pas, robi Im vijon të afrohet vazhimisht tek Unë me adhurime vullnetare, derisa Unë ta dua atë.”

Prandaj, duke u argumentuar me këtë hadith, hadithin e eulijave, dijetarët kanë thënë se eulijatë ndahen në dy grada:

1) grada e muktesidun-ëve

Muktesid-ët janë ata që zbatojnë urdhëresat fetare dhe largohen nga ndalesat. Pra, kush zbaton urdhëresat dhe largohet nga ndalesat, është uelij prej eulijave të Allahut Subhanehu ue Te’ala.

Ka ardhur transmetim në Sahihun e Muslimit, se Nu’man ibn Kaukal i tha Profetit alejhis salatu uesselam: O i Dërguar i Allahut, sipas mendimit tënd, nëse unë i fal namazet farze, i lejoj të lejuarat dhe i ndaloj të ndaluarat, a do futem në Xhennet?
I tha: Po!
Tha: Pasha Allahun, nuk do shtoj përtej këtyre!

Ai që kryen detyrat e Fesë, detyrat e Islamit, dhe shmang ndalesat, është prej eulijave të Allahut. Prandaj, ka ardhur në hadithin kudsij:

“Mes atyre me të cilat robi Im më afrohet, nuk ka gjë më të dashur për Mua sesa ato që ia kam bërë detyrë (zbatimi i urdhëresave dhe largimi nga ndalesat).”

Sa për lënien e të ndaluarave, ajo është prej gjërave që Allahu i ka detyruar robërit e Tij.
Pra, Allahu ka bërë detyrë kryerjen e detyrimeve dhe lënien e gjërave të ndaluara. Ashtu siç afrohet njeriu tek Allahu -Subhanehu ue Te’ala- duke kryer detyrat, po ashtu afrohet tek Ai -xhel-le fil ula- duke lënë çfarë ia ka bërë haram dhe të ndaluara.

Kjo pra është një nga gradët e eulijave, grada e muktesidun-ëve, të cilët kryejnë detyrat dhe braktisin haramet.

2) Më lart se kjo gradë është grada e mukarrabun-ëve. Ata janë të parët në vepra të mira (përtej detyrimeve). Pjesa e hadithit kudsij, Fjalës së Zotit tonë subhaneh, që tregon për ta është:

Më pas, robi Im vijon të afrohet vazhimisht tek Unë me adhurime vullnetare.

Fjala e Tij “لا يزال” (la jezalu) tregon për vijimësi dhe vazhdimësi në kryerjen e nafileve pas kryerjes së detyrimeve. Kjo është një gradë shumë e lartë në lidhje me uilajen, pra, pas kryerjes së detyrimeve, është një gradë afrimi tek Allahu Subhanehu ue Te’ala me nafile.

Nuk kryhen nafilet duke humbur detyrimet, por ato kryhen pasi ke zbatuar detyrimet që ka urdhëruar Allahu Subhanehu ue te’ala. Kjo është një gradë e lartë në lidhje me uilajen dhe ajo ka të bëjë me gradën e atyre që janë të parët në vepra të mira.

Pra, janë bashkuar në këtë hadith dy gradat e eulijave: grada e muktesidun-ëve dhe grada e të parëve në vepra të mira.

Në Kur’an Allahu i ka përmendur në vende të ndryshme këto grada, si psh në suren Insan, në suren El-Uakiah dhe në suren El-Mutaffifin. Gjithashtu, në suren Fatir Allahu thotë (kuptimi shqip):

“Pastaj, Ne ua dhamë Librin robërve Tanë të zgjedhur. Disa prej tyre i bëjnë dëm vetes (duke bërë vepra të ndaluara), disa të tjerë janë mesatarë (kryejnë detyrimet dhe largohen nga ndalesat) dhe disa janë të parët në vepra të mira (përtej detyrimeve).”

…TË DY, MUKTESIDI DHE I PARI NË VEPRA TË MIRA, HYJNË NË XHENNET DITEN E KIJAMETIT PA DHËNË LLOGARI, SEPSE ATA JANË EULIJA TË ALLAHUT SUBHANEHU UE TEALA! AI NUK I MERR NË LLOGARI DHE AS I DËNON!

📚 Transkriptim nga audioja “Gradat e miqve të Allahut”

Përktheu: AbduRrahman Mema

Shpërndaje: