Loading

Një histori e çuditshme!

Në vitin 557 h sulltani dhe mbreti i drejtë Nurud-din Zenkij -Allahu e mëshiroftë- pa në endërr Profetin ﷺ duke i bërë me shenjë drejt dy burrave bjondë dhe duke i thënë: më shpëto nga këta të dy!

Ai u zgjua i frikësuar, mori avdes u fal dhe fjeti; e pa rishtazi të njëjtën endërr, u zgjua u fal dhe fjeti, e pa rishtazi për herë të tretë, u zgjua dhe tha: nuk ka mbetur më gjumë.

Ai kishte një ministër të devotshëm që e kishte emrin Xhemalud-din el-Meusilij, ai dha urdhër që t’ia sillnin dhe i tregoi çfarë kishte parë. Ai i tha: çfarë pret? Nisu tani për në Medinën profetike dhe mos ia trego njeriut atë që pe.

Ai u bë gati gjatë pjesës së mbetur të natës dhe u nis me 20 kalorës, në shoqërinë e tij ishte edhe ministri Xhemalud-din. Me vete kishte marrë shumë para.

Arriti në Medine pas 16 ditësh, u la jashtë saj, hyri dhe u fal në Reudah, më pas vizitoi Profetin ﷺ. Ai u ul dhe nuk dinte se çfarë të bënte.

Banorët e Medinës ishin mbledhur në xhami dhe ministri tha: vërtet, sulltani ka sjellë me vete para për të dhënë lëmoshë, ndaj shkruani emrat e të gjithë banorëve të Medinës dhe ata i shkruan emrat e tyre.

Sulltani urdhëroi që ata të vinin dhe të merrnin lëmoshën, ai e vështronte me vemendje gjithësecilin që vinte për ta marrë atë, me qëllim që të gjente te ndonjëri prej tyre tiparin me të cilin i kishte përshkruar Profeti ﷺ, mirëpo nuk e gjeti tek asnjë prej tyre, ai u jepte lëmoshën dhe i urdhëronte që të largoheshin, derisa përfunduan të gjithë njerëzit.

Sulltani tha: a ka mbetur njeri që nuk ka marrë lëmoshë?

Thanë: jo.

Tha: mendohuni dhe meditoni.

Thanë: nuk ka mbetur askush, përveç dy burrave nga Magribi (Maroku), ata nuk marrin asgjë prej askujt, ata janë të devotshëm, të pasur dhe japin shumë lëmoshë për nevojtarët.

Ai (Nurud-dini) u gëzua dhe tha: dua të m’i sillni dhe ia sollën. Kur ata erdhën, ai pa dy burrat për të cilët kishte bërë me shenjë Profeti ﷺ në fjalën e tij: “më shpëto prej atyre të dyve.”

Ai u tha atyre: nga jeni ju?

Ata thanë: nga vendet e Magribit, kemi ardhur si haxhinj dhe zgjodhën për të qenë afër këtij vendi pranë të Dërguarit të Allahut ﷺ.

Ai u tha: tregohuni të sinqertë dhe ua përsëriti disa herë këtë gjë.

Tha: ku është shtëpia e tyre?

I treguan se ata të dy banojnë në një shtëpi pranë dhomës ku është varrosur Profeti ﷺ.

Ai urdhëroi arrestimin e tyre, më pas shkoi te shtëpia e tyre dhe gjeti shumë para, dy unaza dhe disa libra rreth zemërbutësisë dhe nuk gjeti asgjë përveç tyre.

Banorët e Medinës i lavdëruan shumë ata të dy dhe thanë: ata agjerojnë gjatë gjithë kohës, falen vazhdimisht në Reudah, vizitojnë Profetin ﷺ, vizitojnë varrezën el-Baki’, vizitojnë xhaminë e Kubasë çdo të shtunë dhe nuk e kthejnë mbrapsht kurrë dikë që i kërkon lëmoshë, saqë ia kanë zgjidhur hallet banorëve të Medinës në këtë vit të thatë.

Ai tha: SubhanAllah!

Dhe nuk po i shfaqej asgjë nga ajo që kishte parë, mbeti sulltani duke u sjellë vetë rrotull shtëpisë, ngriti qilimin që ishte në shtëpi dhe befas pa një bodrum që ishte gërmuar dhe që përfundonte në drejtim të dhomës ku është varrosur Profeti ﷺ.

Për shkak të kësaj njerëzit u tmerruan, në këtë rast sulltani tha: tregoni të vërtetën! Dhe i goditi fort të dy, ata e pranuan se ishin të krishterë të cilët ishin dërguar nga të krishterët me haxhinjtë e Marokut, pasi u kishin dhënë shumë para i urdhëruan për të përdorur një dredhi me qëllim që vidhnin trupin e Profetit ﷺ.

Ata gërmonin gjatë natës, secili prej tyre kishte nga një çantë lëkure në stilin e marokenëve, pjesën e dheut të gërmuar e hidhnin në çantën e tyre, pastaj dilnin sikur po shkonin për të vizituar varrezën el-Baki’ dhe e hidhnin atë në hapsirat në mes varreve dhe vijuan kështu për njëfarë kohe, kur iu afruan dhomës, qielli filloi të vetëtinte dhe bubullinte, më pas toka u lëkund aq sa u duk sikur malet po shkuleshin dhe mëngjesin e asaj nate mbërriti sulltani Nurud-din.

Kur ata e pranuan dhe u bë e qartë gjendja e tyre para tij dhe ai pa mirësinë me të cilën Allahu e kishte bekuar filloi të qajë me ngashërim dhe udhëroi që t’ia prisnin kokat. Pas kësaj urdhëroi që t’i sillnin një sasi të madhe plumbi dhe gërmoi një hendek të madh përreth dhomës, e shkrinë plumbin dhe e hodhën në hendek dhe kështu dhoma u rrethua me plumb nga të gjitha anët dhe pas kësaj u kthye në mbretërinë e tij dhe urdhëroi për dobësimin e të krishterëve dhe të mos përdorej asnjë i krishterë për ndonjë punë prej punëve.

📚 وفاء الوفا بأخبار دار المصطفى” (٢ /٦٤٨-٦٥٠)”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: