Loading

Pyetje: A lejohet t’ua japësh me qera minaret e xhamive kompanive telefonike, për të vendosur mbi to përforcues të rrjetit të transmetimit dhe fitimi të jetë në dobi të vakëfit? Kjo duke ditur se fitimi nuk është i veçantë për xhaminë, por është në dobi të vakëfeve në përgjithësi. Dhe çfarë gjykimi ka dhënia me qira e oborrit të xhamisë ndaj bankave, që të vendosin aty bankomatet e tërheqjes dhe depozitimit të parave? Oborri i xhamisë që synohet për t’u dhënë me qera nuk është i rrethuar, dhe përfitimi nga të ardhurat që ai sjell është në dobi të vakëfit.

Përgjigje nga Komisioni i Përhershëm për Fetva: Nuk lejohet të merren xhamitë apo oborret e tyre si vende për shitblerje apo për t’u dhënë me qera, qoftë për kompanitë apo fabrikat, bankat etj., sepse xhamitë janë ndërtuar për adhurimin e Allahut të  Lartësuar: për namaz, përmendje të Allahut, për marrjen dhe dhënien e dijes, leximin e Kur’anit etj…

Allahu i Lartësuar ka thënë:

{وَأَنَّ الْمَسَاجِدَ لِلَّهِ فَلاَ تَدْعُوا مَعَ اللهِ أَحَدًا}

{Vërtet, xhamitë i janë kushtuar Allahut, ndaj mos lutni askënd krahas Allahut!}

Shfrytëzimi i xhamive apo i oborreve të tyre e kundërshton gjithë këtë.

Bazuar te çka thamë, është detyrë lirimi i tyre nga ato që u përmendën dhe nderimi i shënjtërisë (vlerës, fisnikërisë, paprekshmërisë) së tyre, si dhe përkujdesja për të mos i angazhuar njerëzit me diçka që i largon nga adhurimi i Allahut të Lartësuar dhe interesi për Botën Tjetër.

Është vërtetuar nga Profeti ﷺ se ka thënë për xhamitë:

«Ato janë për përmendjen e Allahut azze ue xhel-le, për namazin dhe leximin e Kur’anit.» (Transmetoi Muslimi.)

Po ashtu, ka thënë Profeti ﷺ:

«Nëse shihni dikë që shet apo blen në xhami, thuajini: Allahu mos të dhëntë fitim në tregtinë tënde!» (E ka transmetuar en-Nesā’i dhe et-Tirmidhiu dhe e ka vlerësuar hadith hasen.)

Dhënia me qira -me qëllimin (që u përmend)- e oborreve të xhamisë është prej tregtisë.

Dhe prej Allahut vjen suksesi!

📚 “فتاوى اللجنة الدائمة” فتوى رقم: (٢٤٥٧٧) تاريخ: (١٤٣٠/٩/٤ هـ)

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: