![]()
Pyetje drejtuar shejkh Salih el-Suhajmit Allahu e ruajttë
Një vëlla i nderuar pyet: Çfarë pasoje ka për atë që thotë se Kur’ani është i krijuar?
Përgjigjja:
Kush thotë se Kur’ani është i krijuar, bën kufër, sepse përgënjeshtron Allahun e Lartësuar kur Ai ka thënë:
{حتى يسمع كلام الله}
“…derisa të dëgjojnë fjalën e Allahut.”
Kur’ani është Fjala e Allahut të Lartësuar. Pra, kush thotë se Kur’ani është i krijuar, ka bërë kufër.
Mirëpo, këtu duhet të bëjmë dallimin ndërmjet gjykimit për një person të caktuar dhe gjykimit në përgjithësi.
Selefët thoshin: “Kush thotë se Kur’ani është i krijuar, ai çfarë është? – është qafir, sepse në këtë mënyrë ai e përgënjeshtron Kur’anin.”
Por kur bëhet fjalë për një person të caktuar që ka rënë në këtë çështje, ai nuk shpallet menjëherë qafir, derisa t’i sqarohet argumenti dhe t’i hiqet dyshimi. Derisa t’i hiqet dyshimi. Pra, nuk gjykohet mbi të drejtpërdrejt si qafir vetëm pse kemi dëgjuar se ka thënë këtë ose atë. Jo.
Ndërsa gjykimi i përgjithshëm për atë që thotë se Kur’ani është i krijuar është: ai ka bërë kufër, pa dyshim.
Prandaj, gjithmonë nuk duhet të nxitojmë në gjykimin mbi një individ të caktuar.
Po ju jap një shembull:
Së pari, ju paralajmëroj: Nuk lejoj fotografimin. Nuk lejoj fotografimin.
Kush dëshiron ligjëratën, le ta marrë videon që gjendet nga Haremi, por sa i përket fotografive për kujtim, që dikush të tregojë se ka dëgjuar këtë ose ka qëndruar në këtë vend e atë vend – kjo jo. Sepse i Dërguari ﷺ i mallkoi fotografuesit dhe tha se ata janë njerëzit më të ashpër në dënim Ditën e Kiametit. Prandaj të kemi kujdes e të jemi të vëmendshëm për këtë.
Por, nëse ndodh që, në kuadër të këshillës, t’i drejtohesh një personi që bën fotografi, nuk i thua: “Eja ti i mallkuar” ose “Allahu të mallkoftë.” Jo. Por ia shpjegon atij gjykimin, ia përmend hadithet, pa dhënë gjykim mbi të. Sepse ndoshta ai nuk e di gjykimin, ose nuk e ka kuptuar mirë.
Prandaj, kini kujdes për këtë.
Përktheu: Abdur-Rahman Mema