Loading

Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ:

«A t’ju tregoj për atë me të cilën Allahu i shlyen gabimet dhe i ngre gradat?»

Thanë: Po, o i Dërguari i Allahut.

Tha ﷺ: «Plotësimi i abdesit në vështirësi, hapat e shumtë për në xhami, pritja e namazit pas namazit! Këto ju mbajnë larg nga gjynahet! Këto ju mbajnë larg nga gjynahet!»

📚Transmetojnë Muslimi (Hadithi nr. 251), Et-Tirmidhīu (hadithi nr. 51), En-Nesa’īu (hadithi nr. 143), Ahmedi (7209), Muata Malik (445).

Thotë shejkh al-lameh Ibnu Uthejmin rahimehullah:

Domethënia e «Plotësimi i abdesit në vështirësi» është plotësimi i abdesit në ditët e dimrit, sepse në ato ditë uji është i ftohtë, rrjedhimisht plotësimi i abdesit është i vështirë për njeriun. Nëse ai e plotëson abdesin duke hasur këto vështirësi, atëherë themi se kjo tregon për besimin e tij plotë; dhe me këtë Allahu ia ngre gradat e ia fshin gjynahet robit.

Domethënia e «Hapat e shumtë për në xhami» është që njeriu të ketë për qëllim shkuarjen në xhami; dhe kjo për shkak se e ka të ligjëruar këtë gjë në të pesta kohët e namazeve, edhe nëse xhamia është larg. Sa më larg ta ketë xhaminë nga shtëpia, aq më shumë i shtohen veprat e mira. Nëse njeriu merr abdes në shtëpi dhe e plotëson, pastaj del për në xhami dhe nuk e nxjerr nga shtëpia përveçse namazi, atëherë për çdo hap që bën, Allahu ia ngre gradën dhe ia fshin gjynahun.

Domethënia e «Pritja e namazit pas namazit» është që njeriu, prej mallit të madh që ka për namazet, sa herë që ndahet nga njëri prej tyre, zemrën e ka të lidhur me namazin pasardhës, ndaj e pret. Kjo tregon për besimin, dashurinë dhe mallin e tij për namazet madhështore, për të cilat i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: «Namazi është bërë prehje për sytë e mi.»

Nëse ai pret nga namazi në namaz, Allahu, për shkak të pritjes, ia ngre gradat dhe ia shlyen gjynahet.

Kuptimi i «Këto ju mbajnë larg nga gjynahet! Këto ju mbajnë larg nga gjynahet!» është se këto veçori e mbajnë larg njeriun nga gjynahet dhe e frenojnë prej tyre. Këto dy hadithe i përmendi autori në kapitullin “Shumica e rrugëve të hajrit”; dhe kjo sepse këto janë rrugë të shumëllojshme të hajrit: pesë namazet, Xhumaja deri në Xhum’ah, Ramazani deri në Ramazan, hapat e shumtë për në xhami, plotësimi i abdesit në vështirësi, pritja nga njëri namaz në tjetrin. Dhe nga Allahu vjen suksesi!

📚 شرح رياض الصالحين” (٢ /١٨٥-١٨٧)”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: