Shumë e rëndësishme, lexojeni me vëmendje këtë shpjegim të mrekullueshëm të hadithit nga dijetari i madh Muhamed bnu Salih el-Uthejmin -rahimehullahu te’ala-
Transmetohet nga Khababi bin El-Ereth’thi se ka thënë: ju ankuam të Dërguarit të Allahut -sal’Allahu alejhi ue sel’lem- ndërsa ishte mbështetur mbi rroben e tij nën hijen e Qabes, a nuk do të na ndihmosh, a nuk do t’i lutesh Allahut për ne, tha:
«Përpara jush e merrnin një burrë i hapnin një gropë dhe e futnin brenda, pastaj merrnin një sharrë ia vinin në kokë dhe e ndanin në dysh, e krehnin me krehër hekuri derisa i dilnin kockat dhe kjo nuk e bënte atë që të braktiste fenë e tij, pasha Allahun, sigurisht Allahu do ta plotësojë këtë çështje (Islamin) derisa këmbësori të ecë nga Sana’ deri në Hadrameut dhe nuk do të ketë frikë vetëm se Allahun pastaj ujkun ndaj deleve të tij, porse ju nxitoheni.»
E transmetoi: El-Bukharij (6943)
Shpjegimi:
Ka thënë el-al’lameh Muhamed bnu Salih el-Uthejmin -rahimehullah te’ala-:
Hadithi i ebu Abdullah Khabab ibnu El-Ereth’th -radij’Allahu anhu- tregon atë që po kalonin muslimanët prej vuajtjeve që po i shkaktonin mosbesimtarët kurejsh në Meke, kështu që erdhën te Pejgamberi ﷺ që të ankohen ndërsa ai ishte mbështetur mbi rroben e tij -salauatu Allahi ue salamuhu alejhi- nën hijen e Qabes, Pejgamberi -alejhis salatu ues selām- i sqaroi se ata që kanë qenë përpara nesh janë sprovuar në fenë e tyre më shumë sesa ishin sprovuar ata, saqë i hapnin një gropë njeriut dhe e fusnin në të, pastaj merrnin një sharrë ia vinin në kokë dhe e ndanin në dysh, e krehnin me krehër hekuri derisa arrinte te kockat dhe ky është një dënim i dhimbshëm dhe një vuajtje e madhe.
Më pas Pejgamberi -alejhis salatu ues selām- u betua se Allahu do ta plotësojë këtë çështje, dmth atë me të cilën erdhi Pejgamberi -alejhis salatu ues selām- prej thirrjes së Islamit, derisa këmbësori të ecë prej Sanasë deri në
Hadrameut nuk do të ketë frikë vetëm se Allahun dhe ujkun ndaj deleve të tij, porse ju nxitoheni, dmth: bëni durim dhe prisni lehtësimin prej Allahut, se me të vërtetë Allahu do ta plotësojë këtë çështje dhe ndodhi ashtu siç u betua Pejgamberi -alejhis salatu ues selām-.
Në këtë hadith ka shenja prej shenjave të Allahut, saqë ndodhi ashtu sikurse tha Pejgamberi -alejhis salatu ues selām-
Dhe shenjë prej shenjave të Pejgamberit -alejhis salatu ues selām- saqë Allahu ia vërtetoi atë që ai tha dhe kjo është dëshmi nga Allahu për mesazhin e tij, ashtu siç ka thënë Allahu:
(لَٰكِنِ اللَّهُ يَشْهَدُ بِمَا أَنْزَلَ إِلَيْكَ ۖ أَنْزَلَهُ بِعِلْمِهِ ۖ وَالْمَلَائِكَةُ يَشْهَدُونَ ۚ وَكَفَىٰ بِاللَّهِ شَهِيدًا)
{Por Allahu dëshmon për atë që të ka shpallur ty, se Ai ta ka shpallur atë me Dijeninë e Tij, po ashtu edhe engjëjt dëshmojnë për këtë. Allahu mjafton për dëshmitar.}
Ka gjithashtu argument se durimi është detyrë ndaj vuajtjeve që i shkaktojnë mosbesimtarët muslimanëve, nëse njeriu bën durim ka ngadhënjyer.
Ajo që bie detyrë mbi njeriun është se ai duhet ta përballojë atë që e godet prej dëmeve të mosbesimtarëve me durim, të shpresojë shpërblimin nga Allahu dhe të presë lehtësimin dhe të mos mendojë se çështja mbaron kaq shpejt dhe kaq lehtë, Allahu -azze ue xhel’le- mund t’i sprovojë besimtarët me anë të mosbesimtarëve, duke u bërë dëm atyre dhe ndoshta duke i vrarë ata, ashtu sikurse jehudët vranë pejgamberët, të cilët janë më të mëdhenj se thirrësit dhe më të mëdhenj sesa muslimanët.
Pra, le të bëjë durim dhe të presë daljen nga ajo situatë dhe të mos trishtohet dhe as të mos pikëllohet, por të qëndrojë i palëkundur si shkëmbi dhe përfundimi i lumtur është për ata që i frikësohen Allahut dhe Allahu është me durimtarët.
Nëse bën durim, këmbëngul dhe pason rrugën e cila të shpie te synimi, por pa rrëmujë, pa gjendje alarmi dhe acarim, por me rrugë të organizuara, sepse armiqtë e muslimanëve, prej munafikunëve dhe mosbesimtarëve ecin me plan të organizuar dhe e arrijnë qëllimin e tyre.
Ama ata të cilët rrëmbehen pas emocioneve, saqë i revoltojnë njerëzit dhe i alarmojnë ata dhe kjo bën që ata humbasin shumë, ndoshta ndodh prej tyre ndonjë lapsus dhe me këtë shkatërrojnë çdo gjë që kanë ndërtuar, nëse e kanë ndërtuar.
Porse besimtari bën durim dhe i merr gjërat me qetësi, punon me përkushtim, e qetëson veten dhe bën një plan të organizuar që me të t’i mposht armiqtë e Allahut prej munafikinëve dhe mosbesimtarëve dhe nuk u jep atyre mundësi, sepse ata presin që njerëzit e hajrit t’i godasë ndonjë fatëkeqësi, duan që t’i revoltojnë ata, edhe nëse ndodh nga disa prej tyre diçka, në atë çast i mposhtin ata dhe thonë: kjo është ajo që duam dhe për shkak të kësaj ndodh sherr i madh.
Pejgamberi -alejhis salatu ues selām- i tha shokëve të tij: bëni durim, se ata që kanë qenë përpara jush -dhe ju jeni më parësorë për të qenë më durimtarë sesa ata- janë sprovuar dhe kanë bërë durim dhe ju o Umeti Muhamed-it jeni ummeti i durimit dhe mirësisë, bëni durim, derisa Allahu të vijë me Urdhërin e Tij, dhe përfundimi i lumtur është për ata që i frikësohen Allahut.
Dhe ti o njeri mos hesht ndaj sherrit, porse puno me rregull dhe me plan dhe me sjellje të mira dhe prit daljen nga kjo situatë prej Allahut dhe mos u pikëllo, se rruga është e gjatë, sidomos kur je në fillim të fitnes (trazirës) sepse ata që e kanë bërë atë do të përpiqen me sa të munden që të arrijnë atë që synojnë, prejua atyre rrugën, ji më largpamës sesa ata, dhe ji më planifikues sesa ata, me të vërtetë armiqtë thurrin kurthe por edhe Allahu thurr kurthe kundër tyre dhe Ai është Planifikuesi më i mirë.
Dhe Allahu është Ai që jep suksesin.
📚 شرح رياض الصالحين” لابن العثيمين (١/ ٢٥٣)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema