Ka thënë el-al’lameh Muhamed bnu Salih el-Uthejmin -rahimehullah-:
Kjo çështje ka nevojë për shqyrtim dhe për tekst nga sheriati, që i vdekuri lëndohet prej atij që është varrosur bashkë me të, nëse është prej atyre që do të dënohen në varr. Nuk di asgjë prej sunnetit rreth kësaj çështjeje, ndonëse disa dijetarë -Allahu i mëshiroftë- kanë thënë: i vdekuri mund të lëndohet prej atij që është pranë tij nëse është duke u dënuar, mirëpo unë nuk kam gjetur ndonjë argument prej sunnetit që të mbështes këtë gjë dhe Allahu e di më së miri”.
📚 فتاوى نور على الدرب” (١ /٣٣٧)”
Sa i përket asaj që ka transmetuar Ebu Nu’ajm në “Hiljetu” (6/354) nga Ebu Hurejrete -radij’Allahu anhu- se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
«Varrosini të vdekurit tuaj në mesin e njerëzve të devotshëm, sepse i vdekuri lëndohet prej fqinjit të keq, ashtu siç lëndohet i gjalli prej fqinjit të keq.»
Ka thënë esh-shejkh El-Albanij në “es-Silsiletud Daifeh” (563) hadith i fabrikuar.
Ka thënë Ibnu Hibban -rahimehullah- ky është një transmetim i kotë, nuk ka origjinë prej fjalës së të Dërguarit të Allahut ﷺ.
📚 كتاب المجروحين” (١ /٢٩١)”
Një grup dijetarësh kanë përmendur pëlqyeshmërinë e varrosjes pranë njërëzve të devotshëm, por nuk kanë përmendur ndonjë argument të qartë rreth kësaj çështjeje nga sunneti, por thjesht si përfundim prej disa haditheve, ashtu siç e kanë nxjerrë përfundimin disa prej tyre nga hadithi: “Se Musa alejhis salatu ues selām- kur iu afrua vdekja i kërkoi Zotit të tij që ta varroste pranë Tokës së Shenjtë aq sa largësia që mund të hedhësh gurin”. Transmetoi El-Bukharij & Muslimi
Imam el-Bukharī -rahimehullah- e ka titulluar një kapitull në Sahihun e tij: Kapitulli: “Ai që dëshiron varrosjen në Tokën e Shenjtë”
Ibnu Battal -rahimehullah- ka thënë:
Kuptimi i asaj që kërkoi Musa që ta varroste afër Tokës si Shenjtë, dhe Allahu e di më së miri, është për shkak të vlerës së atyre që janë varrosur në Tokën e Shenjtë prej Pejgamberëve dhe njerëzve të devotshëm, kështu që ai pëlqeu që të ishte pranë tyre pas vdekjes, ashtu siç është e pëlqyer qënia pranë tyre kur je gjallë, sepse të nderuarit synojnë vendet e nderuara, i vizitojnë varret e tyre dhe bëjnë dua për ta”.
📚 شرح صحيح البخاري” لابن بطال (٥ /٣٥٩)”
Ka thënë en-Neueuij -rahimehullah-:
“Në këtë ka argument se është e pëlqyer varrosja në vende të nderuara dhe të bekuara dhe varrosja pranë varreve të njerëzve të devotshëm.”
📚 شرح مسلم” (١٥ /١٢٨)”
Siç mund të vihet re, hadithi nuk tregon qartë për varrosjen pranë të njerëzve devotshëm, prandaj edhe el-Imam el-Bukharij -rahimehullah- e titulloi kapitullin: “Pëlqyeshmëria e varrosjes në Tokën e Nderuar” dhe nuk tha: pëlqyeshmëria e varrosjes pranë të njerëzve devotshëm.
Kanë ardhur transmetime nga selefët dhe njerëzve të dijes se ata e kanë lënë amanet varrosjen pranë njerëzve të devotshëm.
Ibnu Mesudi e la amanet që të varrosej pranë varrit të Uthman bnu Madh’un -radij’Allahu anhuma-.
📚 الثقات” لابن حبان (٣ /٢٠٨)”
Galib bnu Xhibril shoku i el-Imam el-Bukharij e la amanet që të varrosej pranë el-Bukharij.
📚 المتفق والمفترق” (٣ /٢٠١)”
Ebu Bekër el-Khatib El-Hafidh e la amanet që të varrosej pranë Bishër bnul Harith.
📚 تاريخ دمشق” (٥ /٣٤)”
Ai që ndjek shembullin e këtyre imamëve dhe dijetarëve dhe e lë amanet që të varroset pranë filanit prej të njerëzve të devotshëm nuk ka pse të qortohet -edhe pse ne nuk këmbëngulim se kjo mund t’i bëjë dobi- për shkak se nuk ka ardhur diçka prej sunnetit që ta pohojë këtë pretendim.
Dhe ajo që duhet dënuar dhe ndaluar njerëzit prej saj është: lënia amanet që të varroset në filan vend apo pranë filanit si kërkim begatie nga ky i vdekur, apo se ai vetë do t’i bëj dobi, apo do të ndërmjetësojë për të tek Allahu, atëherë kjo nuk ka bazë dhe është besim i prishur.
Ajo që muslimani duhet të bëjë është përgatitja për vdekjen dhe të bëjë punë të mira, kjo është ajo që do t’i bëjë dobi atij në varr.
Ka transmetuar el-Bukharij (6514) dhe Muslimi (2960) nga Enes bnu Malik -radij’Allahu anhu- se ka thënë:
I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
«Tre gjëra e ndjekin të vdekurin dy gjëra kthehen dhe njëra mbetet me të, e ndjekin atë familja e tij, pasuria e tij dhe puna e tij, kthehen familja dhe pasuria dhe mbetet puna e tij.»
Ka thënë Selman el-Farisij -radij’Allahu anhu-:
“Vërtet, toka nuk shënjtëron askënd, por njeriun e shenjtëron puna e tij”
📚 رواه مالك في موطأ (١٥٠٠)
Përktheu: Abdur-Rahman Mema