![]()
Pyetje: Çfarë mund të na thoni për atë person që thotë se nuk ka dallim midis sunnive dhe shiave dhe të gjithë janë muslimanë? Në fakt, ky njeri (thënësi i kësaj) është mufti në një nga vendet muslimane, dhe kur u intervistua para një muaji në një nga revistat e vendit, ndër të tjera tha: Është e ndaluar për ne të themi se ky është sunnij dhe ky është shiit!
A është e saktë kjo fjalë dhe si e peshoni ju këtë gjë?
El-al-lameh Ibnu Baz -Allahu e mëshiroftë- u përgjigj:
Kjo fjalë ka përgjithësim dhe është e gabuar, sepse shiitët ndahen në disa degëzime dhe nuk janë një sekt i vetëm. Shehristanij ka përmendur se ata janë të ndarë në 22 degëzime të ndryshme. Ka prej tyre që me bidatin që kanë mund t’i bësh qafira dhe ka prej tyre që nuk mund t’i bësh qafira me atë bidat që kanë, edhe pse ata në përgjithësi janë bidatxhinj.
Sekti shiit më pak i dëmshëm është ai që i jep përparësi Aliut radij Allahu anhu ndaj Ebu Bekrit dhe Umerit radij Allahu anhuma. Dihet se ata që thonë një gjë të tillë kanë gabuar dhe kanë kundërshtuar Sahabët. Sa për Rafidat më të rrezikshëm, themi se janë pasuesit e Khumejnit. Ata janë më të rrezikshmit! Gjithashtu, nga më të rrezikshmit janë edhe Nusejritë, sekt në të cilin bëjnë pjesë pasuesit e Hafidh el Esed-it dhe xhemati i tij në Siri. Prej më të rrezikshmëve janë edhe “Batinitë” që janë në Siri, në Iran dhe në Indi, të cilët janë Ismailinj.
Këto tri grupe janë më të këqinjtë, më të rrezikshmit dhe janë qafira, sepse ata, Allahu na ruajttë, i urrejnë muslimanët, i shohin si më të rrezikshëm sesa jobesimtarët dhe i urrejnë më shumë sesa ata; ndërsa gjakun dhe pasurinë e ehlus sunnetit e shohin të lejuar, edhe nëse hiqen si të mirë në disa tema në të cilat debatojnë.
Ata mendojnë se imamët e tyre dinë të fshehtën (gajbin) dhe janë të pagabueshëm. Imamët i adhurojnë në vend të Allahut, si p.sh. duke u kërkuar ndihmë, duke bërë kurban dhe zotim për ta. Kjo është gjendja e tyre në raport me imamët.
Rafidat “ithna ‘esharijeh” quhen edhe “xha’ferijeh”; ndërsa së fundmi kanë epitetin “el-khumejnijeh”. Këta thërrasin për tek e fshehta dhe janë prej sekteve më të këqija. Gjithashtu, prej më të këqinjve përmendim sektin Nusejri dhe sektin Ismailij. Të tërë sa përmendëm janë batinij: nga brenda mendojnë se imamllëku i Ebu Bekrit, Umerit dhe Uthmanit është i pavlerë.
Gjithashtu, mendojnë se Sahabët janë qafira, të dalë nga Islami. Bëjnë përjashtim për një pakicë prej tyre, si p.sh. për Aliun, Hasenin, Husejnin, Ammar ibnu Jasirin dhe vetëm për dy, tre apo katër të tjerë për të cilët mendojnë se e donin Aliun (radijAllahu anhum). Pjesa tjetër e Sahabëve, sipas tyre, janë të dalë nga Islami dhe i kanë bërë padrejtësi Aliut; e të tjera thënie si këto. Lusim Allahun për shpëtim!
Ata i tejkalojnë kufijtë ndaj ehlul bejtit duke pretenduar se ehlul bejti dinë gajbin, se është detyrë imamllëku i tyre, se të gjitha sundimet pas dhe para Aliut janë të kota dhe vetëm sundimi i tij dhe i Hasenit ishte i drejtë, ndërsa sundimet nga koha e Pejgamberit ﷺ e deri në ditët tona, sipas rafidave, janë të gjitha të kota. Lusim Allahun për shpëtim!
Shkurtimisht themi se Shiitët janë të ndarë në degëzime dhe nuk janë një sekt i vetëm. Ka prej tyre që janë Zejdij-ë, sekt i njohur ky në Jemen, të cilët preferojnë Aliun ndaj Ebu Bekrit. Këta nuk janë qafira, me përjashtim të rasteve kur ka prej tyre që adhurojnë putat (idhujt) dhe i kalojnë kufijtë ndaj ehlul bejtit, duke iu lutur atyre në vend të Allahut. Ama, vetëm dhënia përparësi Aliut ndaj Ebu Bekrit dhe Umerit, nuk është kufër, por është bidat dhe gabim.
Është detyrë dhënia përparësi Ebu Bekrit, pastaj Umerit, pastaj Uthmanit ndaj Aliut, i cili është i katërti, radijAllahu anhu. Kjo është e vërteta për të cilën kanë rënë dakord Sahabët radij Allahu anhum, dhe ai që jep përparësi Aliut ndaj tyre ka gabuar, ama nuk është qafir. Qafira prej tyre janë: Rafidat, Nusejritë, Ismailitë, shija të cilët i kanë kaluar kufijtë ndaj ehlul bejtit, duke i adhuruar në vend të Allahut, duke menduar se sundimi i tyre është i lejuar dhe imamët e tyre dinë gajbin, e të tjera si këto. Lusim Allahun për shpëtim!
Me pak fjalë, analizohen besimet e tyre me hollësi dhe nuk thuhet se të gjithë shi’at janë qafira, jo. Çështja e tyre duhet parë me hollësi, sepse ata ndahen në degëzime të shumta.
Pyetësi: Po Haxhi i tyre në Shtëpinë e Allahut si kryhet, duke u bazuar në këtë akide në të cilën ata besojnë?
Shejkhu: Patjetër që duhet parë çështja e tyre në të ardhmen. Lusim Allahun që t’i japë sukses shtetit për çdo të mirë dhe ta ndihmojë!
Pyetësi: Përse ata e urrejnë emrin Ebu Bekër, Umer, Uthman, ‘Aishe? Pra, pse janë shumë të urryer tek ata si emra?
Shejkhu: Është e njohur kjo gjë, sepse ata mendojnë se Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani janë qafira dhe i bënë padrejtësi Aliut. Ata e akuzojnë Aishen me zina, e të tjera prej besimeve të tyre të kota. Lusim Allahun për mirëqenie! E lusim Atë që të na udhëzojë ne dhe të gjithë muslimanët!
Ajo që dua të them është se fjala e atij që thotë se nuk ka ndryshim midis shi’ave dhe ehlus sunnetit është fjalë e kotë dhe e gabuar. Çështja e shi’ave ka nevojë për shtjellim, por sidoqoftë nuk lejohet të thuash se ata janë njësoj si muslimanët. Kjo është e kotë! Pra, çështja e tyre ka shtjellim ashtu si edhe çështja e sufistëve – njerëz të cilët po ashtu janë të ndarë në sekte- ka nevojë për studim (shtjellim). Sufitë dhe shi’at janë në një nivel.
🎙Audio në youtube:
“Këndvështrimi i shejkh Ibn Bazit -rahimehullah- për shiitët”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema