Loading

Shejkh Abdul-Aziz er-Raxh’hī -Allahu e ruajttë- thotë:

  • Sekti i parë janë khauarixhët

Ata kanë mendimin se lejohet të dalësh kundër sundimtarëve nëse ata bëjnë gjynahe, sepse, sipas khauarixhëve, nëse sundimtari bën gjynah të madh, ka bërë kufër, duhet hequr nga sundimi dhe duhet ekzekutuar, sepse është qafir.

Sidoqoftë, ky është medh’heb i kotë dhe bie në kundërshtim me tekstet sheriatike.

  • Sekti i dytë janë mu’tezilitë

Ata po ashtu kanë mendimin se lejohet të dalësh kundër sundimtarëve nëse bëjnë gjynahe!

Mu’tezilitë kanë 5 baza të fesë:

  • Teuhidin;
  • drejtësinë;
  • vendin mes dy vendeve;
  • ekzekutimin e kërcënimit;
  • urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja.

Dhe secilës prej këtyre bazave i kanë dhënë një kuptim të gabuar.

Poshtë Teuhidit fshehën një kuptim të gabuar i cili përmblidhet në këto pika:

  • mohimi i Cilësive të Allahut;
  • Kur’ani është i krijuar;
  • Allahu nuk do shihet në Botën tjetër;
  • Allahu nuk i ka krijuar gjynahet!

Vendi në mes dy vendeve: me këtë kanë për qëllim se ai që kryen një gjynah të madh del nga besimi dhe nuk hyn në mosbesim, por është në një vend (pozitë) mes dy vendeve!

Ekzekutimi i kërcënimit: me këtë kanë për qëllim se Allahu e ka detyrë që ta dënojë mëkatarin, të mos e falë dhe ta lërë përjetësisht në Zjarr!

Urdhërimi për të mirë: poshtë kësaj fshehën rebelimin kundër sundimtarëve, për shkak të gjynaheve të tyre; dhe këtë e quajnë: ndalimi nga e keqja.

Kësisoj, mu’tezilitë kanë mendimin se lejohet rebelimi kundër sundimtarëve, për shkak të gjynaheve.

Kjo është një bazë prej bazave të tyre.

  • Sekti i tretë janë rafidat

Ata kanë mendimin se lejohet të rebelohesh kundër sundimtarëve, për shkak të gjynaheve të tyre. Kjo sepse rafidat mendojnë se sundimi i takon vetëm imamit të pagabueshëm. Ata thonë:

Sundimi i takon vetëm atyre që janë të pagabueshëm: 12 imamëve të cilët i ka theksuar Profeti ﷺ (sipas pretendimit të tyre):

Alī ibnu ebī Tālib, pastaj Haseni, pastaj Husejni… e deri tek i fundit.

Ata (sipas rafidave) janë të ruajtuar nga gabimi, dhe nëse sunduesi nuk është prej këtyre 12 imamëve, atëherë -gjithnjë sipas rafidave- sundimi i tyre është i kotë. Ndaj është detyrë heqja nga sundimi dhe vrasja e tij, sepse sundimi i takon vetëm imamit të pagabueshëm!

Pyetje: A ekziston dikush që është i pagabueshëm?

Përgjigje: nuk gjendet askush i pagabueshëm, përveç profetëve, në lidhje me atë që përcjellin nga Allahu. Ata janë të ruajtur nga shirku dhe gjynahet e mëdha.

Kësisoj, rebelimi kundër sundimtarëve, si shkak i gjynaheve të tyre, është medh’heb i ithtarëve të bidateve: është medh’hebi i khauarixhëve, mu’tezilive dhe rafidave.

Kurse Ehlus-Sunneti nuk e kanë mendimin se lejohet rebelimi kundër sundimtarëve, si shkak i gjynaheve të tyre, por kanë mendimin se duhet bërë durim me sundimtarët. Për këtë arsye, Ehlus-Sunneti, kur shkruajnë besimin e tyre, thonë:

Ne nuk e kemi mendimin e rebelimit kundër imamllarëve dhe sundimtarëve tanë, edhe nëse bëjnë padrejtësi; as nuk lutemi kundër tyre, as nuk heqim dorë nga bindja ndaj tyre, dhe e shohim bindjen ndaj tyre si bindje ndaj Allahut, bindje e cila është detyrë, për aq kohë sa nuk urdhërojnë për gjynahe; dhe lutemi për ta për devotshmëri dhe përmirësim.

Kjo shkruhet në çdo libër të akides.

Këshillë:

Të rinjtë që kanë zell për largimin munkerateve, duhet të mos nxitohen, sepse ky nxitim mund t’i çojë drejt akides së khauarixhëve, të cilët bëjnë tekfir si shkak i gjynaheve, e pas kësaj arrijnë deri aty sa e bëjnë të lejuar gjakun dhe pasurinë e muslimanëve!

Khauarixhët, së pari, bënë tekfir, dhe së dyti, e lejuan gjakun dhe pasurinë e muslimanëve. Lejimi i gjakut e ka zanafillën nga tekfiri! Lusim Allahun për shëndet dhe mirëqënie! Kështu vepruan khauarixhët në kohën e sahabëve: u bënë tekfir sahabëve dhe më pas i vranë dhe ua derdhën gjakun!

Ata i bënë tekfir Alī ibnu ebī Tālibit -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- ndonëse ai ishte prej dhjetë të përgëzuarve me Xhennet! I bënë tekfir Uthmanit! Allahu qoftë i Kënaqur prej tij!

I bënë tekfir Mu’auijeh ibnu Ebi Sufjanit- Allahu qoftë i Kënaqur prej të dyve- dhe jo vetëm, ndonëse ata janë njerëzit më të mirë pas profetëve! E gjithë kjo për shkak të këtij besimi të fëlliqur dhe këtij dyshimi që u lindi; e ai është tekfiri për shkak të gjynaheve!

📚 شرح أصل السنة واعتقاد الدين” (ص ١٣١-١٣٢-١٣٣)”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: