Loading

Dijetari i nderuar, shejkh Felah Ismaili -Allahu i Lartësuar e mëshiroftë- thotë:

Esharizmi përqëndrohet rreth tri çështjeve. Fiksoji, o robi i Allahut, sepse janë shumë të thjeshta. Njeriu nuk quhet esharij, pra, që ka rënë në esharizëm, përveçse kur gjenden tek ai këto tri gjëra:

1) t’i japësh përparësi akl-it (logjikës) ndaj nakl-it (Kur’anit e Sunnetit).

Sipas esharive, është detyrë dhënia e përparësisë (së akl-it ndaj nakl-it) në mënyrë absolute! Er-Razij, el-Xhuejnij, Ibnu Feuraku dhe një “ummet” i madh (shumë e shumë vetë prej tyre) e kanë shprehur këtë ide: është detyrë t’i japësh përparësi akl-it ndaj nakl-it. Pra, kur vjen argumenti “ka thënë Allahu; ka thënë i Dërguari i Tij alejhis salatu uesselam”, duhet që Fjala e Allahut dhe fjala e Rasulit -alejhis salatu uesselam- t’u paraqiten logjikës: nëse logjika e pranon, mirë; nëse jo, atëherë argumenti, ose është i refuzuar, pra, i dobët në zinxhir, ose, nëse nuk është i dobët apo merret për argument, është detyrë te’uijli (keqinterpretimi që bëjnë esharitë) i tij, pra, ta kthejmë derisa të përputhet me logjikën. A e fiksuam? Kjo është baza e parë tek esharitë: t’i japim përparësi logjikës ndaj Shpalljes.

2) ndarja e nakl-it (argumenteve sheriatike) në dy pjesë.

Sipas tyre, të tëra argumentet duhen ndarë në dy pjesë. Në realitet, nakl-i çfarë është? Është “ka thënë Allahu; ka thënë Rasuli (alejhis salatu uesselam)”. Është Kur’ani dhe Suneti. Por për esharitë, ky Kur’an e ky Sunnet, nuk është i tëri në të njëjtën gradë. Jo, thonë. Duhet ndarë në dy pjesë…

Për pjesën e parë thonë: të parën e quajmë “muteuatir”; kjo pjesë merret si argument.

Ndërsa të dytën e quajnë “ēhad” dhe thonë: këto (hadithet ēhad), qofshin hadithe kudsije apo profetike, nuk lejohet të merren si argumente për fushën e Akides.

E çfarë bëjnë me hadithet ēhad? Thonë: Hadithet ēhad i marrim argument për abdesin, namazin, pastërtinë, haxhin, mirëpo jo për Akide; në Akide i japim përparësi logjikës, kurse këto (hadithet ēhad) nuk pranohen. Asnjëra nuk pranohet!…

3) Muteuatirin… e “kurojnë” me këtë rregull të tretë: është detyrë te’uijli (keqinterpretimi i esharive) i tërë naklit derisa të përputhet me logjikën….

Tek ajeti { ٱلرَّحۡمَـٰنُ عَلَى ٱلۡعَرۡشِ ٱسۡتَوَىٰ } (Ta Ha: 5)
RRAHMANI U NGRIT MBI ARSH.

Fillon eshariu të dridhet e të thotë: U ngrit (isteua)?!! Eudhubil-lah! Qysh ore u ngrit mbi Arsh?!!! Po kjo është shirk, o njeri! Jo! Ti e lexon “u ngrit” (isteua) sepse ashtu është shkruar në Kuran, ama logjika të thotë: isteula (sundoi)!!!)

Pra, esharitë i shtuan një lam (ل). Jehudët i shtuan një nun (ن), ndërsa këta shtojnë lam-in. Ibnul Kajjimi -rahimehullah- e ka përngjasuar Nun-in e jehudëve, me Lam-in e esharive….

Përfundimi:

Nëse këto tri pika ndodhen te një libër apo individ, ai është esharij 100%. Këto pra janë bazat e esharizmit. Pa i pasur këto të trija, nuk konsiderohet njeriu esharij….

Madje edhe në librat tanë, kur u bëjmë refuzimet esharive, i tërë refuzimi ynë përqëndrohet rreth këtyre tri bazave…

📚 Shkëputur nga audioja me titull: Bazat e Esharizmit

Përktheu: AbduRrahman Mema

Shpërndaje: