Loading

Pyetje drejtuar dijetarit të nderuar jemenas, shejkh Muhamed ibnu Abdul-Uehhab el-Uasāb-it; Allahu e mëshiroftë!

Pyetësi: Është përhapur fjala se ju -Allahu ju ruajttë- e keni shpallur qafir Jahja el-Haxhurin. A është e vërtetë kjo gjë? Cili është mendimi juaj rreth tij? Allahu ju shpërbleftë me të mira!

Përgjigje: Kjo është fjalë e kotë! Nuk është e vërtetë! Ehlus-Sunneti nuk i shpall qafira muslimanët! Tekfiri është prej veprave të rafidave, të cilët i shpallin qafira muslimanët; dhe po ashtu prej besimit të khauarixhëve, të cilët bëjnë tekfir për shkak të gjynaheve të mëdha! Nuk kemi thënë kurrë për Haxhurin se ai është qafir! Allahu na ruajttë! Ama kemi thënë se ai është bidatxhi dhe se ka shpikur në fenë e Allahut çka nuk është prej saj dhe ka ligjësuar ligje për të cilat Allahu nuk ka zbritur argument!

«Kushdo që sjell një praktikë të keqe në Islam, do marrë barrën e saj të gjynahut dhe barrën e gjynahut të atyre që veprojnë me të, deri në Ditën e Kijametit! Nuk i pakësohet asgjë prej barrës së gjynahut të tyre!»

Jahja el Haxhuri ka shpikur në fe bidate të mëdha; dhe po përmendin vetëm disa prej tyre:

Kur ai ka mosmarrëveshje me një person, rreth një meseleje ixhtihadijeh, si p.sh në lidhje me faktin se a eshte hizbij shejkh Abdur-Rahman el-Adeni (rahimehullah!) apo jo, Jahja thotë: Ai është hizbī!

Kurse pjesa tjetër e meshajkhëve prej Ehlus-sunnetit dhe Xhematit thonë: Përkundrazi, ai është sunnij dhe nuk është hizbī.

Shikoni tani se çfarë bëri me meshajkhët: i shpalli bidatxhinj, i konsideroi të devijuar e të prishur, i ndërpreu marrëdhëniet me ta, i bojkotoi, i urdhëroi nxënësit e tij për bojkotimin e tyre dhe nxorrën broshura dhe audio të shumta kundër tyre!

I themi atij: O njeri, kjo është mesele ixhtihadijeh; nuk ka zbritur tekst rreth saj! Ne nuk na zbret shpallje ku të thuhet se filani është hizbī! Ti ke bërë ixhithad; gjithmonë duke menduar mirë për ty, pra, se e ke thënë këtë bazuar në ixhtihad dhe jo duke u bazuar mbi teka!

Sidoqoftë, le të supozojmë se ke bërë ixhtihad; ama edhe të tjerët kanë bërë ixhtihad dhe thonë: ai nuk është hizbī.

Në meseletë ixhtihadijeh nuk lejohet t’i shpallësh të tjerët të devijuar, bidatxhinj, hizbinj, fasikë, fuxharë, kurthngritës dhe tradhtarë! Kjo është mesele ixhtihadijeh, kështu që bëhu mendjehapur!

Ai e ka ligjësuar këtë bidat të fëlliqur, pra, bojkotin, ndërprerjen e marrëdhënieve, kthimin e shpinës, mosdhënien e selamit dhe mosfjalosjen qoftë edhe për vite e vite me rradhë; të gjitha këto për shkak të një meseleje ixhtihadijeh!

Është detyrë mbi të që të pendohet tek Allahu azze ue xhel’le nga ky bidat devijues, i cili konsiderohet prej gjynaheve të mëdha; të pendohet sepse devijoi njerëzit! Nëse do ta bënin këtë dijetarët, nëse do ta bënin Selefët e Devotshëm, nëse do ta bënin katër imamllarët, nuk do të mbetej dashuri në mes dy muslimanëve, sepse njëri do mendonte kështu dhe tjetri të kundërtën.

Me ndërprerje të marrëdhënieve dhe bojkot nuk mbetet më dashuri mes dy personave! Për këtë arsye, thamë se kjo është bidat.

Gjithashtu, prej bidateve të cilat ai ka bërë është detyrimi i të tjerëve për t’i bërë taklid: ai që nuk thotë atë që thotë Jahja në filan mesele, bojkotohet, përzihet dhe quhet i sëmurë!

Ki frikë Allahun! Nuk lejohet të detyrosh njerëzit të të pasojnë ty verbtazi! Ti nuk je profet! As nuk je engjëll, i pagabueshëm! As nuk të zbret shpallje! Ti je thjesht një njeri! Detyrimi i njerëzve për të të pasuar verbtazi ty në qëndrimin tënd -pra, nëse nuk thua atë që thua ti, dëbohesh, bojkotohesh dhe konsiderohesh i sëmurë- përmban detyrim të njerëzve për të të bërë taklid!

Ti e di qëndrimin e shejkh Mukbilit rahmetullahi alejhi: ai paralajmëronte nga taklidi ndaj tij; kurse ti i detyron njerëzit për të të pasuar, madje do që të detyrosh edhe meshajkhët të thonë atë që thua ti!

Detyrimi i njerëzve për në taklid është bidat në Fe; gjithashtu, hexhri (bojkoti) në lidhje me meseletë ixhtihadijeh. Këto të dyja janë dy bidate prej shumë bidateve!

Kjo që thamë ishte në aspektin e këshillës; Allahu azze ue xhel’le thotë:

﴿وَلاَ يَجْرِمَنَّكُمْ شَنَئَانُ قَوْمٍ عَلَى أَن لاَّ تَعْدِلُوا اِعْدِلُوا هُو أَقْرَبُ لِلتَّقْوَى﴾

{Të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve, për të bërë padrejtësi, por bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë!}

Allahu na ruajttë nga gjykimi sipas tekave, ashtu siç ka bërë ai! Mirëpo ne themi atë që mendojmë se na afron tek Allahu azze ue xhel’le dhe atë që është prej fesë; dhe feja është këshillë! Bidati i hexhrit në meseletë ixhtihadijeh është lajthitje, dhe nëse nxënësit e tij e ndjekin këtë rrugë, janë në një rrezik të madh, qoftë në dunja, qoftë në Akhiret:

﴿أَمْ لَهُمْ شُرَكَاءُ شَرَعُوا لَهُمْ مِنَ الدِّينِ مَا لَمْ يَأْذَنْ بِهِ اللهُ﴾

{A mos vallë ata kanë ortakë që u paskan ligjësuar atyre një fe që Allahu nuk e ka lejuar?!}

E njëjta gjë vlen gjithashtu edhe për bidatin e detyrimit të njerëzve për pasimin e tij verbtazi: ky bidat është lajthitje dhe Allahu nuk ka zbritur për të argument! Vërtet, Allahu thotë:

﴿اتَّبِعُوا مَا أُنْزِلَ إِلَيْكُم مِّن رَّبِّكُمْ وَلاَ تَتَّبِعُوا مِنْ دُونِهِ أَوْلِيَاءَ قَلِيلاً مَّا تَذَكَّرُونَ﴾.

{Ndiqni atë që ju është zbritur nga Zoti juaj e mos ndiqni mbrojtës të tjerë përveç Tij! Sa pak që përkujtoni!}

Lusim Allahun azze ue xhel’le që të na japë sukses neve dhe juve, në atë që Ai e do dhe me të cilën është i Kënaqur; dhe po ashtu gjithë muslimanëve!

Unë kaq kisha!

Ue sal’lAllahu ala nebijjina Muhamed ue ala alihi ue sel-lem.

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: