Loading

Pyetje: Përse shumica e shpjeguesve të librave të Sunnetit janë prej dijetarëve të esharive?

Përgjigje: Nuk e di se nga e ke gjetur këtë përqindje!

A mos vallë i numërove shpjeguesit e librave të hadithit, i analizove besimet e tyre dhe arrite në përfundimin se shumica e tyre janë esharijë?!

A e studiove gjendjen e çdokujt për të cilin kanë thënë se është esharij dhe arrite në përfundimin se vërtet është esharij? Apo është kthyer nga gabimi dhe ti nuk e di?

A ke gjetur diçka që të vërtetojë se fjalët e esharive i ka thënë duke u bazuar në dije dhe duke treguar kujdes dhe nuk i ka thënë si taklid ndaj njerëzve të dijes apo t’i ketë përcjellë pa kujdes?

O vëlla, Allahu të bekoftë! A është shumica kriter për të njohur të vërtetën?!

A nuk ka thënë Allahu tebareke ue te’ala:

{ وَإِن تُطِعۡ أَكۡثَرَ مَن فِی ٱلۡأَرۡضِ یُضِلُّوكَ عَن سَبِیلِ ٱللَّهِۚ إِن یَتَّبِعُونَ إِلَّا ٱلظَّنَّ وَإِنۡ هُمۡ إِلَّا یَخۡرُصُونَ }

{Nëse do t’i bindeshe shumicës në tokë, do të të devijonin nga Rruga e Allahut! Vërtet, ata pasojnë vetëm hamendësime dhe vetëm gënjejnë!} [El-En’am: 116]

A nuk ka thënë Allahu tebareke ue te’ala në 11 vende në Kur’anin Madhështor:

{وَلَـٰكِنَّ أَكۡثَرَهُمۡ لَا یَعۡلَمُونَ}

{Mirëpo shumica e tyre nuk dinë!}

Në suret El-E’arāf, Jusuf, El-Xhathijeh etj.

A nuk e di që prej fitnes dhe sprovës është fakti se njerëzit e së vërtetës janë të huaj në mesin e njerëzve?!

A e di që do ketë prej profetëve që do vijë Ditën e Kijametit dhe me të do jenë thjesht një grup njerëzish?!

A e di që do ketë prej tyre që do vijë dhe me të do jenë pak njerëz?!

A e di që do ketë prej tyre që do vijë dhe me të do jenë një apo dy veta?!

A e di që do ketë prej tyre që do vijë dhe me të nuk do jetë askush?!

Këto na vërtetojnë se nuk është kusht që e vërteta dhe njerëzit e saj të kenë pasues.

Edhe nëse kanë pasues, nuk është kusht që të jenë të shumtë.

Madje pasuesin e së vërtetës mund të mos e pasojë askush.

Sidoqoftë, kjo nuk ia ul vlerën atij tek Allahu tebareke ue te’ala.

Allahu të dhëntë sukses! Dije mirë se kriteri të cilin vendose për të njohur se kush janë njerëzit e së vërtetës, a janë njerëzit e hadithit apo esharitë, është një kriter që nuk qëndron dhe nuk ka vlerë në Sheriat!

Dhe nëse thua: “Fjala jote tregon se shumica e njerëzve të dijes janë esharijë”, nuk ke përfituar nga fjalët e sipërpërmendura, ndaj kthehu te to dhe medito. Allahu e përmirësoftë gjendjen time dhe tënden!

Shejkh Muhamed ibnu Umer Bazmul

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: