U pyet el-al’lameh Rebi’u bnu Hadij el-Medkhalij -hafidhahu’Allah-
A është e saktë ajo që thonë disa njerëz se shkaku i ashpërsisë në refuzimet e selefëve ndaj bidaxhinjëve ka qenë përhapja e sunnetit në atë kohë?
Përgjigje: Shkaku i ashpërsisë së tyre ka qenë sunneti?! Çfarë ka për qëllim me këtë fjalë?
Pyetësi: Ka për qëllim që në këtë kohë ne nuk duhet të jemi të ashpër ndaj bidaxhinjëve, për shkak të pakicës së sunnetit.
Shejkhu: dmth për shkak të pakicës së sunnetit të vdesim?! Dhe ta vdesim davetin selefij! Ne tani kemi më shumë nevojë për ashpërsi sesa në fillim, dmth ithtarët e bidateve në fillim ishin pak dhe nuk u bënin dëm atyre, ndërsa tani shumica e njerëzve janë bidatxhinj, përveç një pakice, kështu që patjetër duhet sqarimi.
Ne e kemi sqarimin dhe ata që e bëjnë këtë sqarim i cilësojnë të ashpër, ashtu siç e kanë cilësuar Ahmed ibnu Hanbel-in, ibnu Tejmijjen dhe ibnu Abdul-Uehabin, i cilësuan ata të ashpër, sepse ata nuk kanë armë, i humbasin ato kur përballen me ehlus sunnetin dhe thonë: janë të ashpër.
Ku është ashpërsia? Ashpërsinë e kanë ata, ashpërsinë për mbrojtjen e të kotës, ashpërsinë për hir të saj dhe ashpërsinë në luftimin e ehlus sunnetit, ata e kanë ashpërsinë.
Lexoji librat e tyre, dëgjoji kasetat e tyre dhe shihi qëndrimet e tyre dhe do të shohësh sesi ashpërsohen për hir të së kotës, sesi shajnë, sesi gënjejnë, sesi shpifin, sesi thurrin kurthe… sesi…. e të tjera.
Akuzojnë të tjerët për ashpërsi ndërkohë që e kanë vetë atë, ithtarët e bidateve e shajnë dhe e mallkojnë ehlus sunnetin me pa të drejtë, e nuk kemi dëgjuar njeri të ngrejë zërin duke i cilësuar ata me ashpërsi. Librat e el-Gazalit, el-Meududit dhe të ngjashëm me ta janë të mbushura me sharje, ofendime, tallje, ashpërsi dhe kalim të kufijve dhe askush nuk thotë se ata kanë ashpërsi, kur u ngritën disa prej ehlus sunnetit për të mbrojtur të vërtetën, thanë: këta janë të ashpër, tani bëjnë lajka, sepse nuk gjetën diçka që me anë të saj t’u bënin ballë njerëzve të së vërtetës, e si rrjedhojë u kthehen këtyre sjelljeve.
Sidoqoftë, urtësia është e kërkuar, po ashtu edhe ashpërsia, sipas vendit bëhet kuvendi, pasha Atë i Cili i tha të Dërguarit të Tij -alejhis salatu ues selãm- ku e këshilloi atë për urtësi dhe durim.
Ai i Lartësuari ka thënë:
{يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ جَاهِدِ الْكُفَّارَ وَالْمُنَافِقِينَ وَاغْلُظْ عَلَيْهِمْ ۚ وَمَأْوَاهُمْ جَهَنَّمُ ۖ وَبِئْسَ الْمَصِيرُ}
{O ti i Dërguar luftoji jobesimtarët dhe munafikinët dhe ji i ashpër ndaj tyre, vendi i tyre është Xhehenemi, e sa vend i keq është ai}
Ai urdhëroi për nxjerrjen e shpatave kundër jobesimtarëve, a nuk është kjo prej ashpërsisë? Apo gurëzimi i të martuarit që bën zina dhe rrahja me kamxhik e të tjerëve.
Apo kur tha -alejhis salatu ues selãm-: “Pasha Allahun sikur Fatimja e bija e Muhamedit të kishte vjedhur do t’ia kisha prerë dorën”, kjo është ashpërsi, porse është e kërkuar dhe lavdëruar sepse është në vendin e duhur.
Kështu që ashpërsia nuk është e dënueshme në mënyrë absolute, as qetësia dhe butësia nuk është e lavdëruar në mënyrë absolute, sipas vendit bëhet kuvendi dhe çdo arenë ka luftëtarët e saj.
🔊 شريط بعنوان: “تقوى الله والصدق”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema