Pyetje: Një gruaje i erdhën simptomat e ciklit mujor dhe pa një lëng të verdhë, por pa gjakderdhje; dhe kjo në muajin e Ramazanit. Ditën e dytë, bashkë me lëngun e verdhë gjeti edhe pak gjakderdhje; më pas, i ndaloi. Ndërsa ditën e tretë i filloi gjakderdhja natyrale. Çfarë gjykimi ka agjërimi i dy ditëve gjatë të cilave pa vetëm lëngun e verdhë dhe pak gjakderdhje; duke pasur parasysh se kjo gjakderdhje nuk i ka ndodhur më parë?
Përgjigje nga shejkh Ibnul Uthejmin:
Nuk ka dyshim se menstruacionet janë gjakderdhja që del nga femra dhe ato përbëjnë gjakun natyral që Allahu e ka shkruar për bijat e Ademit. Ai del në kohë të caktuara, me veçori të caktuara dhe me simptoma të caktuara. Nëse plotësohen këto simptoma dhe këto veçori, ai konsiderohet gjak i menstruacioneve natyrale dhe të obligon zbatimin e dispozitave sheriatike që përfshin kjo gjë. Por nëse nuk është gjak me këto veçori, atëherë s’kemi të bëjmë me menstruacione. Ummu ‘Atijeh radij Allahu anha ka thënë: “Ne nuk e konsideronin për gjë lëngun e verdhë dhe gjakun e turbullt.” Dhe në transmetim tjetër (trasmetimin e Ebu Daudit): “Ne nuk e konsideronim për gjë lëngun e verdhë dhe gjakun e turbullt pas pastrimit.” Domethënia: nuk i konsideronim menstruacione.
Sa për gruan që përmende se kishte këto simptoma të menstruacioneve -por që në realitet nuk ishin menstruacione- dhe i pati dalë lëngu i verdhë, atëherë, në bazë të asaj që kuptohet nga hadithi i Ummu ‘Atijes radij Allahu anha, i bie që ky lëng i verdhë nuk është prej menstruacioneve. Duke u bazuar pra në këtë hadith, agjërimi i saj në ato ditë (dy ditët e para) është i saktë, sepse nuk i patën ardhur ende menstruacionet.
📚 “Mexhmu’u Feteua ue resailush shejkh Muhamed bin Salih el-Uthejmin” (vëllimi nr. 19/ libri ” gjërat që prishin agjërimin”).
Përktheu: Abdur-Rahman Mema