Loading

Pyetje drejtuar al-lameh Ibnu Bāzit rahimehullah

Pyetsja thotë:

Disa gra agjërojnë gjatë kohës së menstruacioneve, veçanërisht në Ramazan, për shkak të injorancës apo për ndonjë arsye tjetër. Kërkojmë nga shkëlqesia juaj sqarimin e gjërave që i ndalohen gruas me menstruacione dhe sqarimin e detyrave që ka kur përfundon periudha e tyre. Allahu jua shpërbleftë me të mira!

Përgjigje:

Gruaja me menstruacione nuk duhet të agjërojë. Agjërimi i saj nuk është i saktë. Është i pavlerë. Nuk i lejohet që të bëjë nijet agjërimin. Nëse e bën, atëherë është detyrë ndaj saj teubeja (pendimi) tek Allahu, keqardhja dhe synimi që të mos e përsërisë më atë gjë. Gjithashtu, është detyrë kompensimi i ditëve të Ramazanit gjatë të cilave ka pasur menstruacionet; duhet t’i kompensojë  sepse agjërimi i saj nuk është i saktë.

Gruaja me menstruacione, kur sheh gjakun, duhet të ndërpresë namazin dhe agjërimin. Bashkëshorti i saj nuk duhet t’i afrohet për të kryer marrëdhënie intime.
Ajo nuk duhet të prekë Mus’hafin (Kur’anin), nuk duhet të bëjë tauaf -nëse është në Mekë për të kryer Haxhin apo Umren- derisa të pastrohet; dhe kur të pastrohet, lahet si në rastin e guslit të xhunubllëkut, pra, e lan të gjithë trupin e saj me ujë. Pas larjes, bëhet e lejuar për burrin e saj dhe falet dhe agjëron me njerëzit, sepse menstruacionet mbaruan. E gjithë kjo pra sa i takon gruas me menstruacione.

Nëse ajo është në Haxh apo në Umreh, nuk duhet të bëjë tauaf derisa të pastrohet, por nuk ka problem nëse thotë telbijen (lebbejke Allahumme lebbejk) dhe përmend Allahun -p.sh. thotë: “subhan Allah apo la ilahe il’lAllah”- dhe qëndron me njerëzit në Arafat, gjuan guralecët, qëndron me ta në Muzdelifeh. Lejohen këto edhe nëse është me menstruacione. Ama, derisa të pastrohet, nuk duhet të bëjë tauaf.

Dijetarët kanë pasur mospërputhje këndvështrimesh rreth faktit se a duhet që të lexojë apo jo. E sakta është që ajo duhet të lexojë përmendsh, pa e prekur Mus’hafin. Lexon ato që ka mësuar përmendsh, sepse koha e tyre (menstruacioneve) zgjat, ndaj ajo do ketë vështirësi nëse e lë leximin, sepse mund ta harrojë atë që ka memorizuar. E kundërta e xhunubit: ai nuk duhet të lexojë derisa të lahet. Sa për gruan me menstruacione dhe lehonën, e sakta është se mund të lexojnë; nuk ka problem. Mirëpo lexojnë prej asaj që kanë mësuar përmendsh dhe nuk lexojnë prej Mus’hafit. Nëse kanë nevojë për Mus’hafin, u lejohet prekja e tij me pengesë, që të përsërisin disa ajete. Kjo duke veshur dorashka apo të ngjashme, në mënyrë që të mos e prekin drejtpërdrejt Mus’hafin në kohën që kërkojnë për ajetet që kanë nevojë për përsëritje. Ose mund të kërkojnë ndihmën e çdokujt prej motrave të tyre, që t’ua përsërin Mus’hafin nëse kanë probleme apo bëjnë gabime.

📚 فتاوى نور على الدرب” (١٦ /٨٦-٨٧)”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: