Al-lameh AbdulAziz ibnu Bãz rahimehullah:
Pikërisht kjo është sprova, sidomos në fund të kohës, siç është edhe koha jonë. Ne jemi në fund të kohës dhe të huaj, ndaj medoemos ka nevojë për durim, sikurse ka treguar Profeti ﷺ:
«Do t’u vijë njerëzve një kohë kur durimtari në fenë e tij, do jetë sikurse ai që ka mbërthyer prushin!»
Dhe ai ﷺ thotë:
«Islami, i huaj nisi dhe i tillë do kthehet, ashtu sikurse filloi, ndaj përgëzimi qoftë për të huajt!»
Transmeton Muslimi në librin e tij Sahih.
Kanë transmetuar të tjerët veç tij fjalinë: Kush janë të huajt?
Tha: «Ata që përmirësojnë vetet kur të prishen njerëzit.»
Dhe në një artikulim tjetër:
«Përmirësojnë atë çka njerëzit prishin prej Sunnetit tim.»
Dhe në hadithin e Ebij The’alebes: «Ai që punon prej tyre, do të ketë shpërblimin e 50 vetëve!»
I thanë: O i Dërguari i Allahut, sa shpërblimi i 50 vetëve prej nesh apo prej tyre?
Tha: «Përkundrazi, sa shpërblimi i 50 vetëve prej jush!»
Shkaqet e kësaj janë ndihmësit dhe përkrahësit e paktë, situatat e rrezikshme dhe dyshimeve të shumta, rrugët e shumta të devijimit dhe thirrësve të tij. Për këtë arsye, në fund të kohës, durimtari që posedon dituri dhe punon për të, do ketë shpërblimin e 50 prej sahabëve, sepse ata gjetën përkrahës në fillim të Islamit, kur Islami dhe muslimanët ishin të fuqishëm; patën shumë përkrahës dhe armiku ishte i shpartalluar. Ama në fund të kohës është e kundërta: ka shumë armiq, ka shumë thirrës të devijimit, pak përkrahës, pak ndihmës të së vërtetës; sho këtu edhe edhe dyshimet e shumta.
Në fund të kohës, kjo luftë mes së vërtetës dhe të kotës do jetë e ashpër, ndaj duhet medoemos durim në atë që njeriu ka mësuar: kur e mëson të vërtetën e pastaj sheh atë që e kundërshton, i thur lavde Allahut për diturinë që i ka dhënë, i thur lavde për faktin se e bëri prej njohësve të kësaj të vërtete. Pastaj, në bazë të asaj që ka mundësi, punon për refuzimin e së keqes dhe për thirrjen tek e mira, në mënyrë që të realizohet ajo që ka mësuar. Kjo përfshin atë që ka lidhje me doktrinën dhe degët e saj. Për njeriun që duron dhe shpreson shpërblim e gjithë kjo sjell sevape të mëdha, bollëk të veprave të mira dhe pasurim të vazhdueshëm me dituri.
Vërtet, prezenca e mospajtimeve ndihmon (indirekt) në zgjerimin e diturisë, njohjen e dyshimeve, largimin e tyre, njohjen e rrugëve të cilat e ndihmojnë të vërtetën dhe udhëzimin për tek ajo. Derisa, me kalimin e kohës, arrin ta përhapë në mesin e njerëzve dhe të ftojë për tek e vërteta.
Përktheu: Abdur-Rahman Mema