Al-lameh Sulejman er-Ruhejlij hafidhahullah:
Sa për njërin prej tyre, ai nuk u ul me mua herën e parë, por u ul me shejkh Abdus-Selam es-Suhejmin dhe shejkh Mus’ad el-Husejnin. Sigurisht, njerëz si ata kishin pranga në duar, për shkak të rrezikut. Tekfirsi u fut tek ata dhe nuk u dha selam. Meshajkhët u çuan dhe i zgjatën duart, por ai nuk ua dha dorën. Kur shejkh Abdus-Selami bëri për t’u ulur, ndërkohë që ishte më afër tij, ky njeri, nuk e di sesi, por nxori njërën dorë nga prangat dhe e ngriti për të goditur shejkh Abdus-Selamin. Ai u ul me meshajkhët; gjithashtu, ndërkohë që i argumentoheshim me tekste nga Kur’ani, u ul edhe me mua.
Thoshte: Janë prej ajeteve të paqarta! Ju jeni nga ata që ndiqni ajetet e paqarta!
Kur ne i sillnim hadithe, thoshte: Nuk e di se nga i keni gjetur; mund të jenë të sakta dhe mund të jenë të dobëta!
Ne i thamë: Atëherë të të transmetojmë fjalën e disa njerëzve të dijes, për shembull fjalën e shejkhejnëve, shejkh Ibnu Bazit dhe shejkh El-Uthejminit rahimehumaAllah. Nuk mendoj se ka mospajtime lidhur me ata të dy.
Tha: Njëri më i ndyrë se tjetri! Allahu i mallkoftë! Që të dy janë qafira!!! E kanë çuar ummetin në humbje!!!
Subhan Allah! Ama dalëngadalë, përmes diskutimit, ndryshoi. Ky është ai për të cilin ju tregova se njëherë, kur diskutova me të, më tha: Ibnu Uthejmini ka gabime në akideh.
Kjo do të thotë se ai e bënte qafir. Më pas, thoshte: Ka gabime në akideh dhe ne i kemi vënë në dukje.
Sidoqoftë, përmes diskutimit, ai njeri e braktisi këtë ideologji plotësisht dhe filloi të na puthë kokat. SubhanAllah! Dhe të mendosh s’denjoi as të na jepte selam!
Do t’ju tregoj edhe diçka:
shejkh Mus’adi, kur pa që refuzoi t’u japë selam, i tha: Me çfarë hyn njeriu në Islam?
Tha: Me dy dëshmitë.
Atëherë shejkh Mus’adi dëshmoi: esh’hedu en la ilahe il-la Allah ue enne Muhameden resul Allah.
Jepma selamin tani, sepse u futa në Islam!
Tha: Ti je turbullues me një anulues prej anuluesve (të Islamit)!
Mirëpo subhan Allah, kur atij iu bë e qartë, u udhëzua dhe filloi të puthë kokat e meshajkhëve, ndërkohë që në fillim refuzoi madje edhe dhënen e selamit. Dhe kësisoj, iu bë e qartë çështja. Tha: O shejkh, shumicën e këtyre të arrestuarve isha unë që i futa në tekfir! O shejkh, problemi ynë ishte një i vetëm: argumenti i fitras! Ne nuk e dinim fare se çfarë ishte argumenti i fitras. Nuk e dinim realitetin e asaj që thoshim, mirëpo kur u ulëm me ju, ju dëgjuam dhe debatuat me ne, na u bë e qartë dhe kuptuam domethënien e argumentit të fitras. Kuptuam se ai nuk mjafton në argumentim. Përndryshe, nuk do ishte nevoja për dërgimin e të dërguarve. Etj si kjo.
📚 https://youtu.be/CHNSUPyasnk
Përktheu: Abdur-Rahman Mema