Loading

Shejkh Salih el-Feuzān -Allahu e ruajttë- thotë:

Nuk lejohet madhërimi dhe lavdërimi i bidatxhinjve, edhe nëse kanë diçka nga e vërteta, sepse me këtë lavdërim përhapet bidati i tyre dhe i radhit ata në rreshtat e atyre burrave të ummetit që janë shembull për t’u ndjekur.

Selefët na kanë paralajmëruar nga paturit besim te bidatxhinjtë, nga lëvdata ndaj tyre dhe nga ulja me ta.

Në disa fjalë të tyre ata janë shprehur:

“Kush ulet te një bidatxhi, ka ndihmuar në shkatërrimin e Sunnetit!!!”

Është detyrë paralajmërimi ndaj bidatxhinjve, si dhe është detyrë largimi prej tyre, edhe nëse kanë diçka prej hakut; kjo sepse shumica e të devijuarve e kanë diçka prej hakut, por përderisa kanë bidate, kanë shkelje dhe kanë mendime të këqija, nuk lejohet as lëvdata, as lartësimi, as mbyllja e syve për bidatet që kanë, sepse me gjithë këto përhapet bidati dhe neglizhohet çështja e Sunnetit, madje me këtë rrugë bidatxhinjtë bëhen të njohur dhe të parët e ummetit. Mos e dhëntë Allahu!

Është detyrë paralajmërimi ndaj tyre. Imamët e sunnetit, të cilët -elhamdulil-lah- në asnjë epokë nuk kanë pasur bidate, mjaftojnë për Ummetin: ata janë shembulli që duhet ndjekur. Obligohet ndjekja e atij që është i qëndrueshëm në Sunnet, nuk ka bidat, si dhe obligohet paralajmërimi ndaj bidatxhiut dhe demaskimi i tij derisa njerëzit të jenë të ruajtur prej tij dhe derisa ai me gjithë pasuesit të largohen nga skena.

Sa për atë se bidatxhiu ka diçka prej hakut, kjo nuk e justifikon lëvdatën ndaj tij, sepse dëmi që vjen nga kjo lëvdatë është më i madh sesa dobia që ka ai prej hakut. Është i njohur rregulli fetar “parandalimi i dëmeve është më parësor sesa arritja e dobive”.

Në armiqësinë ndaj bidatxhiut ka parandalim të dëmit që i shkaktohet ummetit, e cila është më parësore sesa dobia e pretenduar, gjithmonë nëse gjendet. Në rast se ecim me këtë parim, pastaj askush nuk bëhet i devijuar dhe askush nuk bëhet bidatxhi, sepse nuk ka bidatxhi që të mos ketë diçka prej hakut dhe diçka prej kapjes pas fesë.

Bidatxhiu nuk është qafir dhe as shkelës i tërë sheriatit, por është i tillë në disa çështje ose në shumicën e tyre, sidomos nëse bidati është në akideh dhe në menhexh (metodologji); atëherë çështja është e rrezikshme, sepse një njeri i tillë bëhet shembull, e si pasojë, përhapen bidatet në ummet dhe bidatxhinjtë bëhen aktivë në përhapjen e bidateve të tyre.

Ky që i lavdëron bidatxhinjtë dhe i mashtron njerëzit me atë që ata kanë prej hakut, është individ nga njëri prej këtyre dy llojeve: ose është injorant ndaj menhexhit të selefëve dhe qëndrimit që ata kanë pasur ndaj bidatxhive; dhe këtij injoranti nuk i lejohet të flasë, madje as muslimanëve nuk u lejohet ta dëgjojnë; ose është i njëanshëm (tendencioz), sepse, ndonëse e di rrezikun e bidatit dhe bidatxhinjve, është i njëanshëm që dëshiron të përhapë bidatin.

Sidoqoftë, kjo është një çështje e rrezikshme! Kjo gjë nuk lejohet! Dhe nuk lejohet tolerimi i bidatit dhe njerëzve të tij, sido që të jenë!

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: