Loading

Pyetësi: Disa njerëz argumentohen me atë që ka ndodhur në historinë islame, si p.sh. me fitnen e Ibnul Esh’athit dhe rebelimin e shumë prej dijetarëve, me në krye Se’id ibnu Xhubejrin rahimehullah dhe ata që ishin me të; gjithashtu, argumentohen me ngjarjen e ‘Aishes radij’Allahu anha, Abdullah ibnuz Zubejrit, Talhas dhe Aliut; Allahu qoftë i Kënaqur me të gjithë ata! Sipas tyre, kjo që ka ndodhur konsiderohet prej rebelimit -ndonëse nuk u realizua ajo që dëshironin- dhe rrjedhimisht kryengritja lejohet.

A është i saktë argumentimi me me këto ngjarje të cilat ndodhën në shekujt e parë? Dhe cila është përgjigjia e duhur? Sepse ndodhia e fitnes së Ibnul Esh’athit dhe ndodhia e ‘Aishes dhe atyre që ishin me të prej Sahabëve ndikon shumë në justifikimin e çështjes së kryengritjes.

Shejkhu:

O vëlla, kryengritja absolutisht që nuk lejohet! Këto argumente janë kundër atij që argumentohet me to. Nuk janë në përkrahje të tij.

Është një urtësi që transmetohet në lidhje me Isain alejhis selaam -dhe nuk na intereson saktësia e saj aq sa na intereson kuptimi- se një ditë ai i këshilloi dishepujt e tij dhe i njoftoi se një profet do të jetë vula e profetëve, ama do ketë edhe profetë të rrejshëm.

I thanë: Si ta njohim atë që është i vërtetë nga ai që është i rrejshëm?

U përgjigj me këtë përgjigje të urtë: Do t’i njihni nga frytet e veprave.

Nga vetë frytet e këtyre kryengritjeve, përfshirë këtu edhe atë të ‘Aishes radij’Allahu anha ne, kuptojmë gjykimin sheriatik të rebelimit. A ishin frytet të hidhura apo të ëmbla?!

Nuk ka dyshim se historia islame që na rrëfen këtë kryengritje dhe atë tjetrën na tregon se ajo ishte diçka e keqe e cila solli derdhjen e gjakut të muslimanëve dhe shkoi kot, pa asnjë dobi, sidomos ajo që ka lidhje me kryengritjen e ‘Aishes radij’Allahu anha.

‘Aishja radij’Allahu anha u pendua për kryengritjen e saj: qante me dënesë derisa i lagej nikabi. Ajo dëshironte që të mos e kishte bërë atë kryengritje.

Është një anekdotë të cilën e lexova në disa libra – dhe as këtu nuk më intereson saktësia e zinxhirit- sipas së cilës Aishja radij’Allahu anha u njoftua se një mosmarrëveshje kishte ndodhur mes një shërbëtori të saj dhe një shërbëtori të dikujt tjetër prej shokëve të Profetit ﷺ.
Kur u bë gati të dalë, një i afërm e pyeti: Për ku je nisur, o Nëna e Besimtarëve?

I tha: Po dal të shoh një mosmarrëveshje në lidhje me një mushkë që e pretendojnë të dyja palët.

I tha: O Nënë e Besimtarëve, a nuk na mjafton ndodhia e devesë?! A të na hapësh punë përsëri me ndodhinë e mushkës?!

(Këtu shejkhu dhe pyetësi qeshin.)

Ajo që na intereson është se argumentimi me një kryengritje të tillë është argument kundër tyre, sepse nuk pati dobi nga ajo kryengritje. E para kjo. Së dyti, pse kapemi pas kryengritjes së Se’id ibnu Xhubejrit rahimehullah dhe nuk kapemi pas moskryengritjes së kokave të Sahabëve që ishin në kohën e tij (Se’id bnu Xhebejrit), siç ishte Ibnu Umeri radij’Allahu anhuma etj.?!!! Nëse ndjekim selefët e parë, themi se të gjithë ata ishin kundër kryengritjes ndaj udhëheqësit.

Pra, kemi dy lloj kryengritjesh:

1) Kryengritje teorike; dhe kjo është më e rrezikshmja;

2) Kryengritje praktike; dhe kjo është si pasojë e së parës.

Një kryengritje e tillë nuk lejohet! Argumentet të cilat i përmenda më parë, padyshim janë kundër tyre dhe jo pro!

📚 Shkëputur nga zinxhiri i audiove “El Huda uen Nur” – “Udhëzimi dhe Drita” (nr. 606)

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: