Pyetje drejtuar shejkh Salih elFeuzanit:
Esselamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuh! Shpresojmë nga shkëlqesia juaj një fjalë udhëzuese rreth rrugës sheriatike në lidhje me këshillimin e prijësit -sidomos në këtë kohë kur janë shtuar trazirat- bashkë me një sqarim tuajin rreth metodologjisë sheriatike sesi bëhet këshillimi (praktikisht) dhe faktit se cilat janë argumentet sheriatike prej Kur’anit, Sunnetit dhe kuptimit të selefëve. A sjell dëme këshillimi i prijësit në publik? Allahu ju dhëntë sukses, ju bekoftë në dijen tuaj dhe i bëftë dobi me të Islamit dhe Muslimanëve!
Përgjigje: Ue alejkum selam ue rahmetullahi ue berakatuh!
Dhe më pas:
Këshilla e prijësit të muslimanëve është detyrë për shkak të fjalës së tij ﷺ:
«Feja është këshillë.»
I thamë: Për kë, o Dërguari i Allahut?
Tha: «Për Allahun, për Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për prijësit e muslimanëve dhe për njerëzit e tyre të thjeshtë.»
Ama ajo bëhet në fshehtas, mes këshilluesit dhe prijësit! Argument për këtë është hadithi:
«Kush ka një këshillë për prijësin, le ta marrë atë për dore dhe ta këshillojë fshehtas. Nëse e pranon, mirë, e nëse jo, ai e ka kryer detyrën e tij.» Apo siç ka ardhur nga ai ﷺ.
Usamah ibnu Zejd (radijAllahu anhu) e këshillonte Uthman ibnu Affanin, Prijësin e Besimtarëve radijAllahu anhu, fshehtas dhe nuk ia shfaqte atë njerëzve. Ky është Sunneti në lidhje me këshillimin e prijësit.
Ama kundërshtimi i tij me demonstrata, nëpër gazeta, nëpër audio, në media, në libra dhe trakte, është në kundërshtim me Sunnetin dhe çon në dëme, trazira, sherre dhe nxitje për rebelim kundër prijësit. Ky kundërshtim përçan mes shtetarit dhe shtetasit; kësisoj, lind urrejtje mes prijësit dhe shtetasit. E gjithë kjo nuk është prej udhëzimit të Islamit! Islami nxit për bashkimin e fjalës dhe bindjen ndaj prijësit. Pra, gjithë sa përmendëm është diçka e ndaluar dhe nuk ka të bëjë fare me këshillën, por është një mënyrë SKANDALOZE (“këshillimi”) madje edhe ndaj personave specifikë prej njerëzve të thjeshtë; imagjino pastaj kur ka të bëjë me prijësin…!
Ue sal’la Allahu ala nebijjina Muhamed ue Elihi ue sahbih!
https://www.alfawzan.af.org.sa/ar/node/13500
Përktheu: Abdur-Rahman Mema