Loading

Tha: është përzier çështja, çdokush pretendon se është në rregull dhe Allahu e di më së miri se kush janë thirrësit në dyert e Xhehennemit. Kjo është një kohë kur besohet gënjeshtari dhe përgënjeshtrohet i besueshmi, ashtu sikurse na ka treguar për këtë besniku ﷺ. Allahu është i Vërteti dhe Ai është më i Dituri për të vërtetën dhe njerëzit e saj.

Thashë: lavdet i takojnë Allahut, nuk është ngatërruar çështja, Profeti ﷺ nuk na ka lënë pa sqarim, që përmes tij të njohim të vërtetën nga e kota, përkundrazi na ka sqaruar rregullat që të kthehemi tek ato dhe prej këtyre rregullave:

Rregulli i parë: të vërtetën e përfaqëson ai që është në rrugën e Profetit ﷺ dhe shokëve të tij. Për këtë rregull na tregon hadithi i përçarjes. Në këtë hadith Profeti ﷺ përmend se ummeti i tij do përçahet në 73 grupe, të gjjtha do të futen në Zjarr përveç njërit, i thanë: cili është ai grup o Dërguari i Allahut?

Tha: «Ai që është në rrugën time dhe të shokëve të mi»

Për këtë tregon edhe hadithi që e transmeton El-Irbad ibnu Sarijeh -radij’Allahu anhu- në këshillën madhështore të Profetit ﷺ ku thotë

«Kush do të jetojë prej jush do të shohë mosmarrëveshje të shumta, ndaj kapuni pas sunnetit tim dhe sunnetit të khalifëve të drejtë pas meje!»

Rregulli i dytë: të vërtetën e përfaqëson kapja pas xhematit të muslimanëve dhe prijësit të tyre, në kundërshtim me thirrësit e devijimit të cilët i ftojnë njerëzit në përçarjen e xhematit dhe heqjen dorë nga dëgjimi dhe bindja. Argumenti për këtë është në hadithin e Hudhejfes -radij’Allahu anhu- në lidhje me fitnet, i cili thotë:

Çfarë më këshillon o i Dërguari nëse e arrij atë ditë?

Tha: «Kapu pas xhematit të muslimanëve dhe imamit të tyre!»

Çdokush që të fton për kundërshtimin xhematit dhe daljen nga dëgjimi dhe bindja, atëherë ai është prej thirrësve të devijimit!

Rregulli i tretë: prej shenjave të së vërtetës është se në të gjendet ndjekja e Profetit dhe kapja pas rrugës së besimtarëve, pikërisht ky është udhëzimi. Argumenti për këtë është në Fjalën e Allahut të Lartësuar:

{وَمَن يُشَاقِقِ الرَّسُولَ مِن بَعْدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُ الْهُدَى وَيَتَّبِعْ غَيْرَ سَبِيلِ الْمُؤْمِنِينَ نُوَلِّهِ مَا تَوَلَّى وَنُصْلِهِ جَهَنَّمَ وَسَاءتْ مَصِيراً}

{Kush i kundërvihet të dërguarit, pasi i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që ka zgjedhur dhe e fusim në Xhehennem dhe sa përfundim i keq është ai!} [En-Nisa: 115]

Rregulli i katërt në lidhje me dallimin në mes të vërtetës dhe të kotës:

E kota është në kundërshtim me urdhrin e Profetit ﷺ. Ka thënë Allahu tebarake ue te’ala:

{لَا تَجْعَلُوا دُعَاء الرَّسُولِ بَيْنَكُمْ كَدُعَاء بَعْضِكُم بَعْضاً قَدْ يَعْلَمُ اللَّهُ الَّذِينَ يَتَسَلَّلُونَ مِنكُمْ لِوَاذاً فَلْيَحْذَرِ الَّذِينَ يُخَالِفُونَ عَنْ أَمْرِهِ أَن تُصِيبَهُمْ فِتْنَةٌ أَوْ يُصِيبَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ} [النور: 63]

{Mos ia drejtoni thirrjen të Dërguarit, njësoj si thirrjen që ia bëni njëri-tjetrit; Allahu, me siguri, i di ata që shkëputen prej jush tinëzisht. Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm.}

Rregulli i pestë: prej rregullave të së vërtetës është ndjekja e udhëzimit përmes argumenteve që janë krejtësisht të qarta prej Kur’anit dhe Sunnetit dhe jo ndjekjen e atyre që nuk janë krejtësisht të qarta, që gjenden në Kur’an dhe Sunnet. Argumenti për këtë është në Fjalën e Allahut të Lartësuar:

{هُوَ الَّذِيَ أَنزَلَ عَلَيْكَ الْكِتَابَ مِنْهُ آيَاتٌ مُّحْكَمَاتٌ هُنَّ أُمُّ الْكِتَابِ وَأُخَرُ مُتَشَابِهَاتٌ فَأَمَّا الَّذِينَ في قُلُوبِهِمْ زَيْغٌ فَيَتَّبِعُونَ مَا تَشَابَهَ مِنْهُ ابْتِغَاء الْفِتْنَةِ وَابْتِغَاء تَأْوِيلِهِ وَمَا يَعْلَمُ تَأْوِيلَهُ إِلاَّ اللّهُ وَالرَّاسِخُونَ فِي الْعِلْمِ يَقُولُونَ آمَنَّا بِهِ كُلٌّ مِّنْ عِندِ رَبِّنَا وَمَا يَذَّكَّرُ إِلاَّ أُوْلُواْ الألْبَابِ}

{Është Ai që të ka shpallur ty (Muhamed ﷺ) Librin, disa vargje të të cilit janë krejtësisht të qarta. Ato janë themelet e Librit. Kurse disa të tjera janë jo krejtësisht të qarta. Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, ndjekin vargjet më pak të qarta, duke kërkuar të krijojnë pështjellim dhe duke kërkuar t’i komentojnë sipas dëshirës së vet. Por, kuptimin e tyre të vërtetë e di vetëm Allahu. Ndërsa ata që janë thelluar në dije, thonë: “Ne i besojmë atij (Kur’anit). Të gjitha këto (ajetet e qarta dhe të paqarta) janë nga Zoti ynë!” Këtë e kuptojnë vetëm të mençurit.} [Elu Imran: 7]

Dhe në fjalën e Profetit ﷺ:

«Ju kam lënë pas meje atë që nëse e merrni nuk do të devijoni, Librin e Allahut dhe Sunnetin tim, ato do vazhdojnë derisa të më takojnë në Haud.»

Disa nga këto rregulla ndërthuren me të tjera dhe mund të shpien drejt tyre, mirëpo unë thjesht desha të bëj një sqarim dhe Allahu është Dhuruesi i suksesit.

Shkroi: Muhamed ibnu Umer Bazmul

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: