Loading

Shejkh ibnul Uthejmin -rahimehullah-

Pyetje: Shejkh i nderuar, unë jap mësim lëndën e historisë, dhe ndonjëherë flas keq dhe shaj disa personalitete, a konsiderohet kjo prej gibetit?

Përgjigje: dijetarët të cilët shkruajnë libra për biografinë e njerëzve ende vazhdojnë ta përmendin njeriun me atë që ka prej mirësisë dhe sherrit, përderisa qëllimi është sqarimi i gjendjes së këtij personaliteti, atëherë nuk ka problem në këtë gjë, por këtu është një çështje shumë e rëndësishme dhe ajo është: se nuk lejohet të flasësh rreth asaj që ka ngjarë në mes Sahabëve -radij’Allahu anhum- prej luftrave dhe konfrontimeve, sepse prej Akides së Ehlus sunnetit uel Xhama’ah është frenimi i gjuhës rreth asaj që ka ngjarë në mes tyre, si ajo që ka ngjarë në mes Aliut dhe Mu’auijeh -radij’Allahu anhuma- të diskutohet rreth saj nuk lejohet; sepse çështja është ashtu siç ka thënë ‘Umer bin ‘Abdul-Aziz -rahimehullah-: “ato janë gjakra që Allahu na ruajti shpatat tona prej tyre, po ashtu edhe ne duhet të ruajmë gjuhët tona prej tyre”.

Nëse një person lexon në histori dhe i bëhet e qartë se Ali bin Taalib ishte më afër të vërtetës sesa Mu’auijeh, atëherë themi: se ata të dy ishin muxhtehidinë dhe muxhtehidi mund t’ja qëllojë por edhe mund të gabojë, dhe muxhtehidi prej këtij ummeti nëse bën përpjekje për t’ja qëlluar të vërtetës, porse nuk ia qëllon, atëherë ai ka një shpërblim të plotë, ashtu siç ka thënë Pejgamberi -sal’Allahu alejhi ue ala Elihi ue sel’lem- “Nëse një gjykatës përpiqet dhe ja qëllon ka dy shpërblime dhe nëse gabon ka një shpërblim”

Të tilla gjëra si këto që kanë ngjarë midis Sahabëve nuk duhet të përhapen në mesin e nxënësve në mënyrë absolute; sepse ato mund të ngjallin në zemrën e njeriut urrejtje për disa Sahabë dhe kjo është një çështje shumë e rrezikshme, ne duhet t’i duam të gjithë sahabët, ne mendojmë se disa prej tyre janë më të mirë se disa të tjerë, dhe disa janë më të drejtë se disa të tjerë, porse sa i përket dashurisë të gjithë janë të dashur për ne dhe nuk shajmë asnjërin prej tyre.

📚 اللقاء الشهري” (٤٨/٨)”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: