Loading

«Kush shpik në këtë fenë tonë diçka që nuk është prej saj, atëherë ajo është e refuzuar!»

Dijetari i madh Muhamed ibnu Salih Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, në shpjegimin e këtij hadithi në “el-Erbaine en-Neueuijeh”, thotë:

Muslimani duhet ta dijë që pasimi i Resulit ﷺ realizohet vetëm e vetëm nëse vepra përputhet me Sheriatin në këto gjashtë çështje:

1- në shkakun e saj;
2- llojin e saj;
3- sasinë e saj;
4- formën e saj;
5- kohën e saj;
6- vendin e saj.

Nëse nuk përputhet me Sheriatin në këto gjashtë çështje, është e kotë dhe e refuzuar, sepse personi (në këtë rast) ka shpikur në fenë e Allahut diçka që nuk është prej saj.

1.Vepra të jetë në përputhje me sheriatin në shkakun e saj. E kundërta e kësaj është kur njeriu bën një adhurim për një shkak të cilin Allahu i Lartësuar nuk e ka bërë shkak, si p.sh. të falë dy rekate sa herë të hyjë në shtëpinë e tij dhe ta konsiderojë këtë si sunnet. Një gjë e tillë është e refuzuar, pavarësisht se namazi në origjinë është diçka e ligjësuar; mirëpo në kohën që e shoqëron me një shkak i cili nuk është shkak sheriatik, kjo gjë bëhet e refuzuar.

Një shembull tjetër është rasti kur dikush shpik një festë ta zëmë për fitoren e muslimanëve në Bedër. Kjo gjë i refuzohet sepse e lidhi me një shkak të cilin Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk e kanë bërë shkak.

2. Vepra të jetë në përputhje me Sheriatin në lloj. Nëse Allahun e adhuron me një adhurim, lloji i të cilit nuk është i ligjësuar, ai adhurim nuk është i pranuar.

Shembulli i kësaj është kur dikush supozojmë ther një kalë për kurban. Kjo i refuzohet dhe nuk pranohet prej tij, sepse është në kundërshtim me sheriatin në llojin e tij. Ato kafshë që vlejnë për kurban janë: deveja, lopa, delja dhe dhia.

Ama nëse ther një kalë që të japë lëmoshë prej mishit të tij, atëherë kjo është e lejuar, sepse ai nuk afrohet tek Allahu me therjen e tij (si lloj specifik), por e theri që të japë lëmoshë prej mishit të tij.

3.Vepra të jetë në përputhje me sheriatin në sasi. Nëse një person e adhuron Allahun Azze ue Xhel-le me një sasi më shumë sesa ajo që është në sheriat, nuk pranohet prej tij.

Shembull për këtë përmendim rastin e një personi që merr abdes dhe e lan çdo gjymtyrë nga katër herë. Kjo e katërta nuk pranohet sepse është shtesë mbi atë që ka ardhur në sheriat. Madje ka ardhur në hadith se i Profeti ﷺ i lau gjymtyrët tri herë dhe tha:

«Kush shton përtej kësaj, ka vepruar keq, i ka tejkaluar kufijtë dhe ka bërë zullum!»

4. Vepra të jetë në përputhje me sheriatin në formën e saj. Nëse një person bën një vepër me të cilën adhuron Allahun, por kundërshton sheriatin për formën e saj, kjo nuk pranohet prej tij dhe vepra është e refuzuar.

Shembulli i kësaj është kur një njeri falet dhe shkon në sexhde përpara se të shkojë në ruku. Në këtë rast themi se namazi i tij është i pavlefshëm dhe i refuzuar, ngaqë nuk është në përputhje me sheriatin në lidhje me formën.

Gjithashtu, nëse merr abdes mbrapsht, duke filluar me këmbët dhe më pas vazhdon me kokën, duart dhe fytyrën, atëherë abdesi i tij është i pavlefshëm sepse është në kundërshtim me sheriatin në lidhje me formën.

5. Vepra e tij të jetë në përputhje me sheriatin në kohën e saj. Nëse njeriu e fal namazin përpara hyrjes së kohës, atëherë namazi i tij është i papranuar ngaqë është falur në një kohë të cilën nuk e ka caktuar sheriati.

Nëse ai bën kurban përpara se të falë namazin e Bajramit, ky nuk pranohet si kurban sepse nuk është në përputhje me sheriatin në kohën e tij.

Nëse dikush e vonon nga koha përkatëse një adhurim me kohë të përcaktuar, pa pasur një arsye sheriatike, si p.sh. e fal sabahun pas lindjes së diellit, ky person nuk është i arsyetuar dhe namazi i tij është i refuzuar, sepse ai bëri një vepër të cilën nuk është ligjësuar nga Allahu dhe i Dërguari i Tij.

6.Vepra të jetë në përputhje me sheriatin në vendin e saj. Nëse dikush bën i’tikaf jo në xhami, por e bën atë në një shkollë apo në shtëpi, atëherë i’tikafi i tij nuk është i saktë, sepse nuk është në përputhje me sheriatin në lidhje me vendin ku bëhet i’tikafi. Vendi i i’tikafit është në xhami.

Kushtoju vëmendje këtyre gjashtë bazave dhe praktikoji ato ndaj çdokujt që të refuzon.

📚 “شرح الأربعين النووية”
للشيخ ابن عثيمين رحمه الله

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: