Pyetje drejtuar dijetarit të madh Muhamed ibnu Salih el-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë):
Pyetje: Çfarë gjykimi ka këshilluesi në përgjithësi -veçanërisht mësuesi- i cili i nxit nxënësit e tij për vepra të mira dhe vetë nuk i vepron, siç është p.sh. falja e sunneteve; dhe i ndalon nxënësit e tij nga diçka prej gjynaheve të cilën vetë e vepron? A hyn kjo tek hadithi i cili ka ardhur në lidhje me këtë?
Përgjigje: ajo që bie detyrë mbi njeriun është që ai, së pari të përmirësojë veten e tij, e më pas të nxitojë për të përmirësuar të tjerët. Pra, këtu kemi dy detyrime: detyrimi ndaj vetes dhe detyrimi ndaj të tjerëve.
Ai që është i mençur, fillon me veten e tij, e më pas përpiqet që të përmirësojë të tjerët. Allahu -azze ue xhel’le- i ka kundërshtuar ata që i urdhërojnë njerëzit për të mirë dhe harrojnë veten e tyre, ndaj i Lartësuari tha:
۞ أَتَأۡمُرُونَ ٱلنَّاسَ بِٱلۡبِرِّ وَتَنسَوۡنَ أَنفُسَكُمۡ وَأَنتُمۡ تَتۡلُونَ ٱلۡكِتَـٰبَۚ أَفَلَا تَعۡقِلُونَ
{A i urdhëroni të tjerët për të mirë dhe harroni vetet tuaja, ndërkohë që e lexoni librin?! A nuk arsyetoni?!} [El-Bekareh: 44]
Ama, pavarësisht kësaj, ajo që bie detyrë mbi njeriun, është që të urdhërojë për të mirën edhe nëse vetë nuk e vepron atë të mirë; gjithashtu, bie detyrë mbi të që të ndalojë nga e keqja edhe nëse vetë e vepron atë të keqe. Kjo sepse nëse ai e braktis urdhërimin për të mirën të cilën nuk e vepron, ka humbur dy detyrime (as nuk e kreu vetë filan vepër të mirë dhe as nuk urdhëroi tjetrin për të); edhe nëse braktis ndalimin nga e keqja të cilën e vepron, ka humbur dy detyrime (as u largua nga filan vepër e keqe dhe as e ndaloi tjetrin nga ajo). Nëse njeriu humb një nga dy detyrimet, është detyrë mbi të detyrimi tjetër, sepse nëse urdhëron veçse për të mirën që vepron vetë, dhe nuk ndalon përveç asaj të keqeje që braktis vetë, atëherë do bien shumë gjëra prej urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja.
Do sjell një shembull: një burrë ndalon të tjerët nga përgojimi, përkufizimi i të cilit është: t’i përmendësh (pas krahëve) vëllait tënd atë gjë të cilën ai e urren t’ia përmendin.
Pra, ndalon të tjerët nga gibeti, ndonëse ai vetë i përgojon njerëzit. A kemi të drejtë të themi ne në këtë rast: mos ndalo tjetrin nga përgojimi sepse ti vetë i përgojon njerëzit?
Nëse do ta thonim këtë, atëherë shumica e njerëzve i bie që nuk do ndalonin dot tjetrin nga përgojimi, sepse -përveç atij që dëshiron Allahu- kush është ai që shpëton nga rënia në gjynahun e përgojimit?!
Për këtë arsye themi: urdhëro për të mirë, edhe nëse nuk e vepron atë, mirëpo ajo do të jetë argument kundër teje Ditën e Kijametit (nëse nuk pendohesh); dhe ndalo nga e keqja edhe nëse e vepron atë, mirëpo ajo prapë do të jetë argument kundër teje Ditën e Kijametit (nëse nuk pendohesh).
Ama sa i përket hadithit sahih të cilin përmendi pyetësi, ai është fjala e tij ﷺ:
«Ditën e Kijametit, do sillet një burrë dhe zorrët do t’i dalin jashtë; do sillet përreth tyre ashtu siç sillet gomari përreth mullirit. Mblidhen përreth tij banorët e Zjarrit dhe i thonë: O filan, si kështu me ty?! A nuk na urdhëroje për mirë dhe na ndaloje nga e keqja?!
U thotë: unë ju urdhëroja për të mirë, por vetë nuk e veproja; dhe ju ndaloja nga e keqja, ama e veproja vetë!!!»
Transmetojnë el-Bukharij dhe Muslimi
📚 لقاء الباب المفتوح” (ج ٥٢/ص ٧)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema