Pyetje drejtuar shejkh Ibnu Bazit rahimehullah
Pyetje: A konsiderohen jobesimtarë sundimtarët që gjykojnë me diçka tjetër përveç asaj që ka zbritur Allahu? Dhe nëse themi se ata janë muslimanë, çfarë mund themi për fjalën e Allahut:
﴿وَمَنْ لَمْ يَحْكُمْ بِمَا أَنْزَلَ اللَّهُ فَأُولَئِكَ هُمُ الْكَافِرُونَ﴾ [المائدة: 44]
“E kush nuk gjykon me atë që ka zbritur Allahu, të tillët janë jobesimtarë.” [El-Maide: 44]
Përgjigje: Sundimtarët që gjykojnë ndryshe nga ajo që ka zbritur Allahu ndahen në disa kategori, dhe vendimi për ta ndryshon në varësi të bindjeve dhe veprimeve të tyre:
Kushdo që gjykon me diçka tjetër nga ajo që ka zbritur Allahu duke besuar se është më e mirë se ligji i Allahut, ai është jobesimtar, sipas të gjithë muslimanëve.
Po kështu, ai që vendos ligje të krijuara nga njerëzit në vend të ligjit të Allahut dhe beson se kjo është e lejueshme – edhe nëse thotë se ligji i sheriatit është më i mirë – ai është jobesimtar, sepse e ka lejuar atë që Allahu e ka ndaluar.
Ndërsa ai që gjykon ndryshe nga ligji i Allahut për shkak të tekave, ryshfetit, armiqësisë mes tij dhe personit që po gjykohet ose për ndonjë arsye tjetër, por e di se është duke bërë mëkat me këtë gjë dhe se ajo që është e detyrë është gjykimi sipas ligjit të Allahut, ai konsiderohet prej mëkatarëve dhe mëkatarëve të mëdhenj.
Veprimi i tij konsiderohet si një kufër i vogël, padrejtësi e vogël dhe fisk i vogël, ashtu siç është transmetuar nga Ibnu Abbasi -Allahu qoftë i Kënaqur me të dy-, nga Tawusi dhe nga një grup prej selefëve; dhe ky është qëndrimi i njohur te njerëzit e dijes.
Allahu është Poseduesi i suksesit
📚 Revista “Ed-Da’wa”, numri 963, më 5/2/1405 h. (Përmbledhja e Fetvave dhe Artikujve të Shejh Ibn Baz: 4/416).
Përktheu: Abdur-Rahman Mema