Loading

Ka thënë imam Ibnu Kudameh -Allahu e mëshiroftë-:

Dhe prej Fjalës së Allahut -subhanehu- është edhe Kur’ani Madhështor. Ai është Libri i Allahut, Libër për të cilin nuk ka dyshim. Është litari i Tij që nuk këputet, rruga e Tij e drejtë, Shpallja e Zotit të botëve. Atë e zbriti (transmetoi) Shpirti i besueshëm (Xhibrili) në zemrën e zotërisë së të dërguarve, në gjuhën e pastër arabe. Kurani është i zbritur dhe i pakrijuar, prej Tij filloi dhe tek Ai do të kthehet; përbëhet nga sure dhe ajete të qarta, nga shkronja dhe fjalë. Kush e lexon dhe e analizon atë, për çdo shkronjë ka dhjetë shpërblime. Ai ka fillim dhe fund, është i ndarë në pjesë, lexohet me gjuhë, është i ruajtur në kraharorë, dëgjohet nga veshët, është i shkruar në libra. Në të ka ajete të qarta dhe ajete të paqarta, ka ajete shfuqizuese dhe të shfuqizuara, ka ajete specifike dhe të përgjithshme, ka urdhra dhe ndalesa.

{لَا يَأْتِيهِ الْبَاطِلُ مِنْ بَيْنِ يَدَيْهِ وَلَا مِنْ خَلْفِهِ تَنْزِيلٌ مِنْ حَكِيمٍ حَمِيدٍ}

{Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet!} [Fusilet: 42]

Dhe Fjala e Tij:

قُلْ لَئِنِ اجْتَمَعَتِ الْإِنْسُ وَالْجِنُّ عَلَى أَنْ يَأْتُوا بِمِثْلِ هَذَا الْقُرْآنِ لَا يَأْتُونَ بِمِثْلِهِ وَلَوْ كَانَ بَعْضُهُمْ لِبَعْضٍ ظَهِيرًا

{Thuaj: “Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhindet për të hartuar një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të hartonin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri – tjetrin.} [El-Isra: 88]

Ai është Libri në gjuhën arabe për të cilin ata që mohuan thanë:

{لَنْ نُؤْمِنَ بِهَذَا الْقُرْآنِ}

{Nuk do ta besojmë këtë Kur’an} [Sebe: 31]

Dhe disa prej tyre thanë:

{إِنْ هَذَا إِلَّا قَوْلُ الْبَشَر}

{Kjo nuk është vetëm se fjalë e njerëzve} [el-Mudethir: 25}

Tha Allahu -subhanehu-:

{سَأُصْلِيهِ سَقَرَ}

{Do ta hedh atë në Sekar (Xhehenem)!} [El-Mudethir: 26]

Nuk ka mospajtime në mesin e muslimanëve se ai që mohon prej Kur’anit një sure, apo një ajet, apo fjalë, apo shkronjë, për të cilën ka konsensus, është mosbesimtar, dhe në këtë ka argument të pakundërshtueshëm se ai është i përbërë nga shkronja.

Këtu përfundon fjala e Ibn Kudames, Allahu e mëshiroftë!

لمعة الاعتقاد” (ص28-22)” 📚

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: