Shejkh ibnul Uthejmini -Allahu e mëshiroftë- ka thënë:
Ehlus Sunneti dhe Xhemati, në lidhje me Kur’anin, shprehen kështu:
“Me të vërtetë, Kur’ani është Fjalë e Allahut, i zbritur, i pa krijuar; prej Tij filloi dhe tek Ai do kthehet.”
Fjala e tyre (e ehlus sunnetit): “dhe tek Ai do kthehet” ka dy aspekte kuptimore:
1) Ka ardhur në disa ethere se ai do ngrihet gjatë natës. Njerëzit do gdhihen dhe nuk do ta gjejnë para tyre Kur’anin; as në kraharorë nuk do jetë më dhe as në libra. Allahu -azze ue xhel’le- do ta ngrejë atë.
Kjo -Allahu e di më së miri- ndodh kur njerëzit t’ia kthejnë shpinën plotësisht; as nuk e lexojnë me gojë, as nuk e besojnë e as nuk punojnë me të! Në këtë kohë, Ai e ngre atë. Kjo ndodh sepse Kur’ani është më i nderuar sesa të jetë në mesin e njerëzve të cilët e kanë braktisur, ia kanë kthyer shpinën dhe nuk ia japin vendin që i takon!
Kjo -Allahu e di më së miri- është e ngjashme me atë që i ndodh Kabes në fund të kohës: do vijë një burrë prej Etiopisë; me këmbë të shkurtra dhe i zi. Ai dhe ushtria e tij do vijnë nga deti për në “Mesxhidul Harām”; do e prishë Kaben duke i shkulur gurët e saj një e nga një.
Kësisoj, i shkulin gurët e i hedhin në det. Allahu ua mundëson këtë gjë. Dikur, kur Ebrahah erdhi me kalorësit, burrat dhe elefantët e tij, Allahu e neutralizoi përpara se të mbërrinte në el-Mesxhid. Kjo sepse Allahu e dinte se do e dërgonte këtë Pejgamber dhe do ktheheshin prestigji dhe madhështia e saj. Ama, në fund të kohës, nuk do dërgojë Pejgamber pas Muhamedit alejhis selatu ues selām.
Kur njerëzit do ta braktisnin përfundimisht nderimin e kësaj shtëpie, atëherë Ai i jep mundësinë këtij burri nga Etiopia që ta prishë atë. Pra, kjo është e ngjashme me ngritjen e Kur’anin dhe Allahu e di më së miri.
شرح العقيدة الواسطية” (ص ٢٧٨)” 📚
Përktheu: Abdur-Rahman Mema