Loading

E para: vlera e tekbirit gjatë këtyre ditëve

Dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes janë ditët më madhështore tek Allahu, Ai është betuar me to në Librin e Tij, dhe betimi në diçka është argument për rëndësinë e saj. Allahu i Lartësuar ka thënë në Kur’an:

{والفجر وليال عشر}

{Pasha agimin dhe pasha dhjetë netët}

Ka thënë Ibnu Abbãs dhe ibnuz Zubejr dhe Muxhahidi dhe të tjerë prej selefëve dhe atyre që erdhën pas tyre: se ato janë 10 ditët e Dhul Hixhes.

Ka thënë Ibnu Kethir në tefsirin e tij (8/413): “Ky është mendimi më i saktë”.

Puna në këto 10 ditë është më e dashur tek Allahu sesa në ditët e tjera.

Dhe prej punëve të mira në këto ditë është përmendja e Allahut me tekbir, tehlil (thënia: la Ilahe ila Allah) për shkak të argumenteve që vijojnë:

Ka thënë Allahu i Lartësuar:

{ليشهدوا منافع لهم ويذكروا اسم الله في أيام معلومات}

1- {Që të jenë dëshmues për gjëra që janë në dobi të tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditë të caktuara} [el-Haxh: 28]

2- Ka thënë i Lartësuari:

{واذكروا الله في أيام معدودات}

{që të përmendni Allahun në ditë të caktuara} [el-Bekare: 203]

Ditët e caktuara në këtë ajet janë ditët e teshrikut (3 ditët pas ditës së parë të Kurban Bajramit).

Dhe për shkak të fjalës së Pejgamberit ﷺ:

3- «Ditët e teshrikut janë ditë të ngrënies, pirjes dhe përmendjes së Allahut -azze ue xhel’le» Transmetoi Muslimi (1141).

E dyta: Përshkrimi i tij

Ka pasur mospërputhje në mesin e dijetarëve për përshkrimin e tij me fjalë:

Mendimi i parë është: “Allahu Ekber, Allahu Ekber, la Ilahe ila Allah, Allahu Ekber, Allahu Ekber, ue lilahi el-Hamd”

Mendimi i dytë: “Allahu Ekber, Allahu Ekber, Allahu Ekber, la Ilahe ila Allah, Allahu Ekber, Allahu Ekber, Allahu Ekber, ue lilahi el-Hamd”

E treta: Koha e tekbirit

Tekbiri ndahet në dy lloje:

1- Mutlak: i cili nuk është i kufizuar me diçka, kështu që bëhet në çdo kohë gjatë këtyre 10 ditëve, në mëngjes në mbrëmje, përpara namazit pas tij, në çdo kohë.

2- Mukajed: Ai është i kufizuar vetëm pas namazeve.

Tekbiri Mutlak është sunnet në 10 ditët e Dhul Hixhes dhe 3 ditët e teshrikut, fillon që prej hyrjes së muajt Dhul Hixheh (prej perëndimit të diellit të ditës së fundit të Dhul Ka’des) deri ditën e fundit të ditëve të teshrikut (dhe kjo me perëndimin e diellit ditët e 13 të Dhul Hixhes).

Ndërsa “Tekbiri Mukajed” fillon që prej sabahut të ditës së Arafatit deri në perëndimin e diellit në ditën e fundit të teshrikut bashkë me “Tekbirin Mutlak”.

Kur jep selam pas namazit farz thotë 3 herë “estagfirullah” dhe më pas thotë: “Allahumme Entes Selãm ue minKes Selãm Tebarekte ja Dhel Xhelali uel Ikrãm”, pas kësaj fillon me
“Tekbirin Mukajed”.

Kjo është për atë që nuk është Haxhi, sa i përket Haxhiut fillon “Tekbiri Mukajed” për të prej drekës ditën e Kurbanit.

📚 “مجموع فتاوى ابن باز” (13/17)، و”الشرح الممتع” لابن عثيمين (5 /220-224)

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: