Al-lameh Abdul-Aziz ibnu Baz rahimehullah:
Është vërtetuar nga Profeti ﷺ se ai falte rregullisht gjatë natës dhe ditës 10 rekate:
2 rekate përpara Drekës, 2 rekate pas saj, 2 rekate pas Akshamit, 2 rekate pas Jacisë dhe 2 rekate përpara namazit të Sabahut. E kanë shënuar dy shujukhët, el-Bukharī dhe Muslimi, në dy Sahihët e tyre, prej hadithit të cilin e transmeton Ibnu Umeri radijAllahu anhuma.
Është vërtetuar nga Aishja -Allahu qoftë i Kënaqur prej saj- se Profeti ﷺ se ai nuk i linte 4 rekate përpara drekës.
[Transmetoi el-Bukharī në “es-Sahih”.]
Më e mira është që besimtari dhe besimtarja të falë 4 rekate përpara drekës dhe 2 pas drekës, për shkak të hadithit të Aishes radijAllahu anha; dhe nëse fal 4 rekate pas Drekës dhe 4 rekate përpara saj, kjo është akoma më mirë, për shkak të asaj që transmetojnë 4 autorët e Sunneneve dhe imam Ahmedi rahimehumullah nga Ummu Habibeh -Allahu qoftë i Kënaqur pres saj- dhe ajo nga Profeti ﷺ, i cili ka thënë:
«Kush i fal katër rekate sunnet përpara drekës dhe katër rekate pas saj, Allahu ia bën të ndaluar atë (person) Zjarrit.»
Dhe kjo është një mirësi e madhe. Nëse mjaftohet me 2 rekate përpara Drekës dhe 2 pas saj, atëherë -për shkak të hadithit të Ibnu Umerit- s’ka problem, mirëpo më e mira është që besimtari dhe besimtarja të falin 4 rekate përpara Drekës, duke marrë të dy Hadithet së bashku, hadithin e Aishes dhe atë të Ibnu Umerit; Allahu qoftë i Kënaqur prej tyre!
Këto quhen namaze që falen përpara dhe pas namazeve farz.
Është vërtetuar nga ai ﷺ se ka thënë:
«Kush fal 12 rekate gjatë ditës dhe natës, Allahu i ndërton atij një shtëpi në Xhennet!»
E ka shënuar Muslimi në Sahihun e tij, nga Ummu Habibeh radijAllahu anha; gjithashtu, e ka shënuar et-Tirmidhij me shtesën: 4 rekate përpara Drekës dhe 2 rekate pas saj, 2 pas Akshamit, 2 pas Jacisë dhe 2 përpara namazit të Sabahut.
Këto Hadithe tregojnë për rëndësinë e këtyre sunneteve, tregojnë se ato janë sunnete që ai ﷺ i ka falur rregullisht dhe se janë të pëlqyera, ndaj duhet t’i ruajmë dhe mos t’i lëmë.
Përktheu: Abdur-Rahman Mema