Al-lameh Ibnu Uthejmin rahimehullah:
Vlera e parë: Gjatë saj, Allahu zbriti Kur’anin, në të cilin gjendet udhëzimi i njerëzve dhe lumturia e tyre në lidhje me këtë botë dhe Tjetrën.
Vlera e dytë: ajo që tregon pyetja -në kontekst të lavdisë dhe madhështisë- në Fjalën e Tij:
﴿وَمَا أَدْرَاكَ مَا لَيْلَةُالْقَدْر﴾
{E ku mund ta dish ti se çfarë është Nata e Kadrit?}
Vlera e tretë: ajo është më e mirë sesa një mijë muaj.
Vlera e katërt: engjëjt zbresin gjatë saj. Dhe ata nuk zbresin ndryshe vetëm se me hajër, bereqet dhe mëshirë.
Vlera e pestë: ajo është paqe; dhe kjo për shkak të paqes së madhe gjatë saj, në lidhje me ndëshkimin dhe dënimin, për shkak të asaj që robi vepron prej bindjes ndaj Allahut azze ue xhel-le.
Vlera e gjashtë: Allahu, për të treguar vlerën e saj, zbriti një sure (kapitull) të plotë, e cila do lexohet deri në Ditën e Kijametit.
Dhe prej vlerave të Natës së Kadrit është ajo që ka ardhur në dy Sahihet (të Bukhariut dhe Muslimit) prej hadithit të Ebu Hurejrës radijAllahu anhu se Profeti ﷺ ka thënë:
«Kush e kalon Natën e Kadrit duke u falur me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, i falen gjynahet e mëparshme.»
Fjala e tij “me besim dhe duke shpresuar shpërblimin” domethënë besimin në Allah dhe në atë që Ai u ka premtuar prej shpërblimit atyre që falen gjatë saj duke e shpresuar dhe kërkuar këtë fundit.
📚 مجالس شهر رمضان” صـ (١٦١)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema