Pyetësi:
Për shkak të shiut me breshër, falëm akshamin dhe jacinë me xhemat në xhami. Pyetja jonë është kjo: Kur falen sunnetet nëse i bashkojmë namazet dhe sa bëhet numri i tyre? Dhe a falen dy rekatet dhe vitri në të njëjtën kohë apo duhen lënë për më vonë?
Myftiu: Al-lameh AbdulAziz ibnu Baz rahimehullah
Nëse fal jacinë me akshamin në kohën e akshamit, atëherë fal sunnetin e akshamit dhe pas tij fal sunnetin e jacisë edhe nëse është në kohën e akshamit, sepse kur jacia falet në kohën e akshamit, aty hyn dhe koha për vitrin dhe sunnetin e jacisë.
Nëse bashkohet dreka dhe ikindia për shkak të shiut apo të sëmundjes, në këtë rast nuk falet sunnet pas tij, sepse namazi i ikindisë nuk ka pas tij namaz, meqënëse ajo është kohë ndalese. Pra, nëse bashkohet dreka me ikindinë, në këtë rast sunneti pas namazit të drekës bie, sepse më e mira është që të bashkohet me të ikindia përpara se të falësh sunnetin pas drekës. Kështu që fal katër rekatet sunnet para drekës, ndërsa fill pas farzit të drekës fal ikindinë, të lidhur dhe pa ndërprerje, pra, pa falur sunnetin pas drekës.
Sa i takon akshamit dhe jacisë, ato qëllojnë në kohë kur nuk ka ndalesë, ndaj nëse fal jacinë, pas saj fal sunnetin e akshamit dy rekate dhe më pas fal sunnetin e jacisë dy rekate dhe nëse dëshiron të falësh vitrin, e fal, ose e shtyn deri në mes të natës apo në fund të saj.Te kjo gjë ka tolerim. Elhamdulilah.
Përktheu: Abdur-Rahman Mema