Ka thënë el-al’lameh Muhamed ibnu Salih el-Uthejmin rahimehullah:
Mendimi më i saktë është se Haxhi u bë detyrim në vitin e 9-të dhe Allahu i Lartësuar nuk e ka bërë detyrim më përpara; sepse detyrimi i tij përpara kësaj kohe bie ndesh me urtësinë dhe kjo sepse kurejshët e ndaluan Pejgamberin ﷺ nga kryerja e Umres dhe kishte mundësi që ata ta ndalonin edhe nga Haxhi. Meka përpara çlirimit ishte vend mosbesimi, porse u pastrua nga mosbesimi pas çlirimit të saj dhe Haxhi u bë detyrim për njerëzit në përputhje me urtësinë.
Argumenti që Haxhi u bë detyrim në vitin e 9-të gjendet në brendësi të sures “El Imran” dhe ai është Fjala e të Lartësuarit:
وَلِلَّهِ عَلَى ٱلنَّاسِ حِجُّ ٱلۡبَیۡتِ مَنِ ٱسۡتَطَاعَ إِلَیۡهِ سَبِیلࣰاۚ وَمَن كَفَرَ فَإِنَّ ٱللَّهَ غَنِیٌّ عَنِ ٱلۡعَـٰلَمِینَ
{Dhe Haxhi është detyrim që njerëzit i detyrohen Allahut për ta kryer, për ata të cilët kanë mundësi} [El Imran: 97]
Dhe kjo pjesë e kësaj sureje ka zbritur në vitin e delegacioneve.
Nëse thuhet: përse nuk e bëri Haxhin Pejgamberi ﷺ në vitin e 9-të, përderisa thoni: është bërë detyrim në këtë vit?
Përgjigja: Pejgamberi ﷺ nuk e bëri Haxhin për disa arsye:
E para: për shkak të delegacioneve të shumta në atë vit, për këtë shkak viti i 9-të quhet viti i delegacioneve, dhe nuk ka dyshim se pritja e muslimanëve, të cilët erdhën te Pejgamberi ﷺ që të thelloheshin më shumë në fenë e tyre, është një çështje e rëndësishme, madje mund të themi: se ishte detyrë mbi Pejgamberin ﷺ që t’i mësonte njerëzit.
E dyta: në vitin e 9-të mundej që të vinin për Haxh edhe idhujtarët -ashtu siç ndodhi- dhe Pejgamberi ﷺ dëshironte që ta vononte me qëllim, që Haxhi të ishte vetëm për Muslimanët dhe kjo është ajo që ndodhi.
«Ai pas vitit të 9-të dha urdhër që pas 1 viti të mos e bënte Haxhin asnjë idhujtar, dhe askush të mos bënte tauaf lakuriq» (Met’tefun alejhi)
📚 الشرح الممتع” (٧ /١٤-١٥)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema