Imam Ibnul Kajjim -Allahu e mëshiroftë- ka thënë:
Namazi është shkak për furnizimin me rrizk, mbrojtjen e shëndetit, largimin e dëmeve, largimin e sëmundjeve, forcimin e zemrës, zbardhjen e fytyrës, lumturimin e njeriut, largimin nga dembelizmi, energjizmin e gjymtyrëve, shtimin e fuqisë, hapjen e kraharorit, ushqimin e shpirtit, ndriçimin e zemrës, ruajtjen e mirësive, largimin e hidhërimit, sjelljen e bereqetit, mbajtjen larg të shejtanit dhe afrimin tënd me Rrahman-in.
Në përgjithësi, ai ka një ndikim të çuditshëm në ruajtjen e shëndetit të trupit dhe të zemrës, forcimin e tyre dhe largimin e lëndëve të dëmshme nga to. Nuk sprovohen dy burra me një zarar, një dëm, një sprovë apo një bela, vetëm se hisja e namazliut në to është më e pakët dhe përfundimi i tij është më i sigurtë.
Po ashtu, namazi ka një ndikim të çuditshëm në largimin e sherreve (të këqijave) të dunjasë, veçanërisht kur ia jep hakun atij haptas e fshehtas: nuk largohen sherret e dynjasë dhe të akhiretit dhe nuk arrihen dobitë e dy botëve ashtu si me namazin.
Sekreti i kësaj është se namazi është lidhja me Allahun azze ue xhel’le, dhe, në varësi të lidhjes së robit me Zotin e tij, i hapen dyert e hajrit, i ndërpriten shkaqet e sherrit dhe derdhen mbi të shkaqet e suksesit.
📚 زاد المعاد” (٣٠٤/٤)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema