Në kohët e hershme, e ndanin ditën në 12 orë: nga agimi deri në zenit 6 orë, dhe nga zeniti deri në perëndim 6 orë; dhe Pejgamberi ﷺ e ka përmendur ardhjen e imamit për të mbajtur khutben në orën e pestë, domethënë në orën e gjashtë sipas orëve që ka dita; dhe ajo është përpara zenitit, sepse zeniti hyn pas mbarimit të saj (orës së gjashtë). Argumenti që tregon për ndarjen e ditës në 12 orë është hadithi i Xhabirit radij’Allahu anhu se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
«Dita e Xhuma ka 12 orë; çdo robi musliman që e lut Allahun gjatë tyre për diçka, Allahu i përgjigjet. Kërkojeni atë në orën e fundit pas Ikindisë.»
📚 Hadithin e ka saktësuar El-Hakim dhe është pajtuar me të Edh-Dhehebij, e ka saktësuar En-Neueuij në “el-“Mexhmu’a” (5/541), e ka bërë hasen Ibnu Haxheri në “Fet’hul Barij” (2/420) dhe e ka saktësuar edhe shejkh El-Albanij.
Kështu që fillimi i ardhjes për në xhami është që prej fillimit të orës së dytë, e cila është e para sa i përket ardhjes në xhami dhe e dyta sa i përket orëve të ditës, rrjedhimisht fundi i orës së pestë , i cili është përmendur në hadith, është fillimi i zenitit; dhe me këtë sqarohet paqartësia në lidhje me këtë çështje.
U pyet al-lameh Muhamed ibnu Salih el-Uthejmin rahimehullah se kur fillon ora e parë e ditës së Xhum’ah dhe u përgjigj: Orët të cilat i ka përmendur Pejgamberi ﷺ janë pesë:
«Ai që shkon në orën e parë është njësoj sikur të ketë ofruar një deve për kurban; ai që shkon në orën e dytë është njësoj sikur të ketë ofruar një lopë për kurban; ai që shkon në orën e tretë është njësoj sikur të ketë ofruar një dash me brirë (që i prin kopesë) për kurban; ai që shkon në orën e katërt është njësoj sikur të ketë ofruar një pulë për kurban; dhe ai që shkon në orën e pestë është njësoj sikur të ketë ofruar një vezë.»
Kështu që kjo kohë ndahet në 5 pjesë: nga lindja e diellit derisa të vijë imami. Një pjesë mund të jetë sa kohëzgjatja e orës që njihet sot, por mund të jetë edhe më shumë apo më pak, sepse koha ndryshon. Pra, pesë kohët janë nga lindja e diellit derisa të vijë imami për të falur Xhumanë.
Mendimi i parë: fillon që prej lindjes së diellit.
Mendimi i dytë: fillon që prej hyrjes së agimit.
I pari është më i saktë, sepse përpara lindjes së diellit është koha për namazin e sabahut.
📚 “Mexhmu’ul Feteua” (16/140), pyetja nr. (1260)
Përktheu: Abdur-Rahman Mema