Pyetje: Çfarë gjykimi ka ndërrimi i vendit, pas përfundimit të namazit farz, me qëllim faljen e sunnetit?
Muftiu: Dijetari i madh Muhamed ibnu Salih El Uthejmin rahimehullah
Përgjigje: Fukahatë -rahimehumullah- kanë përmendur që është sunnet ndarja e sunneteve nga namazet farz, ose me fjalë, ose me ndërrimin e vendit, për shkak të hadithit të Mu’auijes -radij’Allahu anhu- i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ na ka urdhëruar që të mos falim një namaz duke e shoqëruar atë me një tjetër, derisa të dalim apo të flasim.”
Bazuar mbi këtë, më e mira është që të bësh një ndarje në mes namazit farz dhe atij sunnet, porse ka diçka më të mirë sesa kjo, dhe ajo është falja e sunnetit në shtëpi. Falja e sunnetit në shtëpi është më e mirë sesa falja e sunneteve në xhami, madje edhe më e mirë sesa në Xhaminë e Shenjtë të Mekës.
Ka thënë Pejgamberi ﷺ: “Namazi më i mirë për njeriun është në shtëpinë e tij, përveç namazit farz.”
E tha këtë Pejgamberi -alejhis salatu ues seläm- ndërsa ishte në Medine, në xhaminë e tij, në të cilën namazi është 1 mijë herë më i mirë sesa në xhamitë e tjera, përveç Xhamisë së Mekës. Ai vetë i falte sunnetet në shtëpi.
Disa njerëz mendojnë se nafilet në Xhaminë e Shenjtë të Mekës apo në Xhaminë Pejgamberike janë më të mira, porse nuk është ashtu. Po nëse supozojmë se një person ka punë dhe ka frikë që nëse del nga xhamia harron t’i falë sunnetet? Në këtë rast i themi: Falu më mirë në xhami.
Gjithashtu, nëse në shtëpinë e tij ka fëmijë shumë dhe ka frikë (se shpërqëndrohet) nga zhurmat, edhe në këtë rast namazi në xhami është më i mirë.
Namazi në shtëpi pra është më i mirë, përveç atij farz, sepse namazi në shtëpi është larg syfaqësisë: aty vetëm familja të sheh. Mund të të shohin ndërsa je duke u falur, porse në xhami të shohin të gjithë; gjithashtu, falja jote në shtëpi është mësim për pjesëtarët e familjes; dhe kjo kur ti je duke u falur dhe ke fëmijë të vogël, i cili fjala vjen është dy apo tre vjeç. E sheh atë tek vjen dhe falet me ty, edhe pse nuk e ke urdhëruar për t’u falur. Kështu që namazi nafile (vullnetar) në shtëpi ka dobi madhështore.
Gjithashtu me këtë gjë ti i largohesh asaj që ka ndaluar i Dërguari i Allahut ﷺ në fjalën e tij: “Mos i ktheni shtëpitë tuaja në varreza!” Domethënë mos i ktheni si varrezat, vende në të cilat nuk lejohet falja. Këto pra janë tri dobitë:
E para: se ajo është larg nga syefaqësia.
E dyta: është mësim për njerëzit e familjes.
E treta: largimi nga ajo që ka ndaluar Pejgamberi ﷺ.
📚 “Mexhmu’ul Feteua ue resailush shejkh Muhamed bin Saalih el-Uthejmin” vëllimi 14/kapitulli namazi i vullnetar
Përktheu: Abdur-Rahman Mema