Pyetje: Nëse njeriu flet gjatë namazit, për shkak të harresës apo për shkak të paditurisë, a i zhvleftësohet namazi?
Muftiu: al-lameh AbdulAziz ibnu Baz rahimehullah
Përgjigjja: Nëse muslimani flet gjatë namazit, për shkak të harresës apo për shkak të paditurisë, nuk i zhvleftësohet namazi, qoftë farz, qoftë nafile (vullnetar); dhe kjo bazuar në Fjalën e Allahut subhanehu:
{رَبَّنَا لَا تُؤَاخِذْنَا إِنْ نَسِينَا أَوْ أَخْطَأْنَا}
{Zoti ynë! Mos na ndëshko nëse harrojmë apo gabojmë!} [El-Bekareh: 286]
Është vërtetuar në hadith sahih nga Profeti ﷺ se Allahu subhanehu thotë:
{Nuk do t’ju ndëshkoj.}
Dhe në Sahih Muslim transmetohet se Muauijeh ibnul Hakem es-Sulemij radijAllahu anhu, gjatë namazit, dikujt që teshtiu i tha: “JerhamukAllah!”, duke mos e ditur gjykimin sheriatik të kësaj. Ata që ishin pranë tij e refuzuan këtë gjë me anë të shenjave. Muauijeh e pyeti Profetin ﷺ për çka ndodhi dhe ai nuk e urdhëroi që ta përsërisë namazin.
Ai që harron është si i padituri, madje edhe më parësor. Gjithashtu, Profeti ﷺ ka folur në namaz, për shkak të harresës dhe nuk e ka përsëritur, por e ka vazhduar. Ashtu siç ka ardhur në hadithe të sakta prej hadithit të Ibnu Mes’udit, Imrān ibnu Husejnit dhe Ebu Hurejres radijAllahu anhum.
Sa i takon bërjes me shenjë në namaz, nëse është e nevojshme, nuk përbën problem.
📚 مجموع الفتاوى” (11 /157)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema