Pyetje drejtuar esh-shejkh ibnu Baaz -rahimehullah-:
Një person është i rregullt me namazet, përveç namazit të sabahut, që e fal atëherë kur zgjohet nga gjumi dhe nuk e fal në xhami, a lejohet kjo gjë? Shpresojmë prej jush, që të lutesh për të që Allahu t’i japë sukses, veçanërisht në lidhje me këtë namaz, si dhe në përgjithësi për pjesën tjetër të çështjeve të fesë.
Përgjigje:
Kjo është një bela në të cilën kanë rënë shumë njerëz, shumë njerëz rrinë deri në orët e vona të natës duke parë televizion ose diçka tjetër, dhe kur vjen koha e namazit të sabahut i gjen ata duke fjetur dhe nuk zgjohen për të falur namazin.
Kjo është një gjë shumë e rëndë, nuk i lejohet muslimanit që ta bëjë këtë gjë, nëse njeriu e bën me qëllim këtë gjë, atëherë ai është në një rrezik të madh; sepse disa dijetarë kanë shkuar deri në bërjen e tij jobesimtar nëse e lë me qëllim kryerjen e namazit në kohën e tij; për shkak të fjalës së Pejgamberit ﷺ në hadithin sahih:
“Marrëveshja në mes nesh dhe atyre është namazi, ai që e braktis atë ka bërë kufër”
E kanë transmetuar katër transmetuesit e suneneve me zinxhir të saktë.
Ai -sal’Allahu alejhi ue sel’lem- ka thënë:
“Në mes njeriut, kufrit dhe shirkut është lënia e namazit”, e transmetoi Muslimi.
Ajo që bie detyrë ndaj këtij apo ndaj të tjerëve veç tij prej atyre që rrinë deri natën vonë, që të kenë frikë Allahun, dhe të bien të flenë herët, në mënyrë që të kenë mundësi që të falin me njerëzit namazin e sabahut.
Sa për atë që e vonon namazin derisa të zgjohet për punën e tij të dunjasë, dhe e fal atë pas lindjes së diellit, ky është një gjynah shumë i madh që meriton disiplinim dhe dënim parandalues, i kërkohet atij të pendohet, nëse pendohet elhamdulilah, nëse jo, atëherë vritet për shkak të kësaj vepre, bie detyrë mbi udhëheqësit që t’i kërkojnë atij që të pendohet, nëse pendohet elhamdulilah, nëse jo, atëherë vritet si qafir, ose vritet si musliman, në bazë të mospërputhjes së mendimeve në mesin e njerëzve të dijes.
Me pak fjalë ky është një gjynah i madh me të cilin janë sprovuar shumë njerëz, shkaqet e të cilit janë:
Ndenja deri natën vonë, neglizhenca e fjetjes herët, saqë kur vjen koha e namazit i gjen ata si të vdekur në pamundësi për t’u zgjuar, dhe kjo nuk është justifikim për ta.
Kështu që ata duhet t’i frikësohen Allahut dhe të flenë herët dhe të përdorin sahatet me alarm që të zgjohen në kohën e Ezanit të sabahut ose të kërkojnë ndihmën e dikujt prej njerëzve të familjes dhe jo vetëm që t’i zgjojë ata, pastaj të falen me njerëzit, të mos falen në shtëpi dhe as pas lindjes së diellit, e gjithë kjo është e ndaluar, gjynah dhe nuk lejohet heshtja ndaj saj, por ata duhet të zgjohen në kohën e duhur dhe të falen me muslimanët në xhamitë e tyre, nuk duhet që ta vonojnë atë me qëllim që ta falin në shtëpi edhe nëse është brenda kohës dhe as nuk duhet ta vonojnë deri pas lindjes së diellit që është më e urryer, më e rëndë dhe më e shëmtuar.
Lusim Allahun që të na ruajë dhe të na japë shëndet, si dhe lusim Allahun për pyetësin dhe jo vetëm për sukses dhe udhëzim.
https://www.binbaz.org.sa/fatawa/1127
Përktheu: Abdur-Rahman Mema