Ka thënë shejkh Rabi’u ibnu Hādī el-Medkhalij -Allahu e ruajttë-:
Mos merr nga banka asgjë, edhe nëse do kishe nevojë për një fetë buke që të mbaheshe gjallë! Imagjino pastaj të marrësh hua kamatare për të blerë shtëpi apo makinë…!
Kur s’ke asgjë për të ngrënë, Allahu t’i ka lejuar kafshën e ngordhur, mishin e derrit, mishin e kafshës së mbytur në fyt, mishin e kafshës që është rrahur dhe ka ngordhur, por nuk ta ka lejuar kamatën, sepse kamata është jashtëzakonisht e rrezikshme!
Mos u merr me kamatë! Bëj durim, sepse me të vërtetë që Allahu thotë:
{وَمَن یَتَّقِ اللهَ یَجۡعَل لَّهُۥ مَخۡرَجࣰا وَیَرۡزُقۡهُ مِنۡ حَیۡثُ لا یَحۡتَسِبُۚ
{dhe kush i frikësohet Allahut, Ai i bën atij rrugëzgjidhje, dhe e furnizon andej nga nuk e pret!} [et-Talāk: 2-3]
Kamata është gjynah i madh dhe çështje e rrezikshme, dhe ai që e bën të lejuar, ka bërë kufër.
Nëse ke nevojë për shtëpi, atëherë bëj durim derisa të të furnizojë Allahu! Ktheju Allahut dhe bëji shkaqet derisa Allahu të ta lehtësojë blerjen e një shtëpie. Është më mirë të vdesësh (me sprova) dhe të jesh i ruajtur nga shpallja e luftës prej Allahut, sepse kamatari është në luftë me Allahun! Allahu na ruajttë! Ka thënë Allahu i Lartësuar:
{فَإِن لَّمۡ تَفۡعَلُوا۟ فَأۡذَنُوا۟ بِحَرۡبࣲ مِّنَ اللهِ وَرَسُولِهِۦۖ وَإِن تُبۡتُمۡ فَلَكُمۡ رُءُوسُ أَمۡوَ ٰلِكُمۡ لَا تَظۡلِمُونَ وَلَا تُظۡلَمُونَ}
{Nëse nuk e bëni këtë, atëherë ju është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij! Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vetë.} [el-Bekare: 279]
Pra, u shpalli luftë kamatarëve.
Resuli ﷺ ka mallkuar atë që e merr kamatën, atë që e jep, atë që e shkruan dhe dy dëshmitarët e saj.
Çfarë do më shumë pas mallkimit?! A të bën dobi shtëpia kur ke përpara xhehenemin?!
Besimtari duhet të ketë frikë Allahun dhe të bëjë durim nga fukarallëku dhe nga nevojat që ka. Allahu thotë:
{وَلَنَبۡلُوَنَّكُم بِشَیۡءࣲ مِّنَ ٱلۡخَوۡفِ وَٱلۡجُوعِ وَنَقۡصࣲ مِّنَ ٱلۡأَمۡوَ ٰلِ وَٱلۡأَنفُسِ وَٱلثَّمَرَ ٰتِۗ وَبَشِّرِ ٱلصَّـٰبِرِینَ}
{Ne do t’ju sprovojmë me gjëra të tilla si: frika, uria, humbja e pasurisë, e njerëzve dhe fryteve (të të mbjellave), kështu që përgëzoji durimtarët!} [el-Bekare: 155].
Bëj durim dhe Allahu do të të japë këtë shpërblim të madh, në vend të Mallkimit, Zemërimit dhe Dënimit të Tij !
Duroje këtë vështirësi në dynja, dhe dije se kjo nuk është asgjë krahasuar me Zemërimin e Allahut dhe Dënimin e Tij.
E lusim Allahun që, me Mirësinë e Tij, të na ruajë! Gjithashtu, e lusim të na ruajë nga çdo gjë që e zemëron Atë! Allahu është Dëgjues i lutjes.
Ue sal’Allahu ala nebijjina Muhamed ue ala Alihi ue sahbihi ue sel’lem.
📚 موسوعة مؤلفات” (1 /134-135)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema