٦٦٧- وعنها رضي الله عنها قالت: كان رسول الله ﷺ إذا أراد أن يعتكف صلى الفجر ثم دخل معتكفه. متفق عليه.
667 – Nga Aishja -Allahu qoftë i Kënaqur me të- transmetohet se tha: I Dërguari i Allahut ﷺ, kur dëshironte të bënte itikaf, e falte sabahun dhe pastaj hynte në vendin e itikafit të tij).
(Buhariu dhe Muslimi)
Thotë shejkh Ibnu Baz rahimehullah:
Ky hadith i Aishes -Allahu qoftë i Kënaqur me të- tregon se është sunnet për atë që bën itikaf të hyjë në vendin e itikafit pas faljes së sabahut, pasi edhe Profeti ﷺ vepronte kështu.
Kjo është mënyra më e mirë, pra ai që dëshiron të bëjë itikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, duhet të hyjë në vendin e itikafit në mëngjesin e ditës së njëzet e një, siç veproi ai ﷺ.
Po kështu, edhe ai që dëshiron të bëjë itikaf në netët e tjera, duhet ta fillojë atë pas faljes së sabahut, duke ndjekur shembullin e tij ﷺ.
Sa i përket itikafit, ai është një adhurim vullnetar dhe nuk është i detyrueshëm me fillimin e tij. Pra, nëse dikush e ka bërë nijet itikafin dhe më pas dëshiron ta ndërpresë, nuk ka ndonjë problem.
Detyrimi për të përfunduar një adhurim ekziston vetëm në rastin e Haxhit ose Umres, siç thotë Allahu i Lartësuar:
وَأَتِمُّوا۟ ٱلۡحَجَّ وَٱلۡعُمۡرَةَ لِله﴾ [سُورَةُ البَقَرَةِ: ١٩٦]﴿
“Përmbusheni Haxhin dhe Umren për hir të Allahut!” [Bekare: 196].
Ndërsa për adhurimet e tjera vullnetare, ato nuk bëhen të detyrueshme me fillimin e tyre, sipas mendimit më të saktë, dhe kjo përfshin edhe itikafin.
📚 شرح بلوغ المرام من أدلة الأحكام” (٦ /٤٠٩-٤١٠)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema