Transmeton Abdullah ibnu Busrin -radij’Allahu anhu- se: Një burrë erdhi ditën e Xhum’ah duke kaluar mbi qafat e njerëzve ndërsa Pejgamberi ﷺ ishte duke mbajtur khutben dhe Pejgamberi ﷺ i tha atij:
«Ulu, se i shqetësove njerëzit»
E ka saktësuar El-Albanij në Sahih Ebij Daud.
Në këtë hadith ka ndalesë për atë që kalon mbi qafat atyre që janë ulur për faljen e namazit të Xhum’asë.
Dijetarët kanë pasur mospërputhje mendimesh sa i takon gjykimit të saj dhe janë ndarë në dy mendime:
Mendimi i parë: se kjo gjë është e urryer, e ka përcjellë këtë mendim ibnul Mundhiri nga xhumhuri.
Ibnu Haxher -rahimehullah- në “Fet’hul Barij” (3/392) ka thënë: shumica kanë mendimin se ajo është e urryer jo në mënyrë të prerë, kjo është e njohur tek medh’hebi i Shafi’ive dhe Hanbelive.
Ndërsa Imam Malik dhe el-Euzaa’ij e kanë veçuar këtë nëse khatibi është në minber.
Ka ardhur në “El-Mudeueneh” (1/159) se Imam Maliku ka thënë: urrehet kalimi kur del imami dhe ulet në minber, për atë që kalon mbi qafat e njerëzve në atë kohë, kjo është ajo për të cilën flet hadithi, sa takon kalimit përpara kësaj, atëherë nuk ka problem në këtë gjë, nëse përpara tij ka hapsira, le të kalojë me kujdes” mbaroi fjala e tij
Mendimi i dytë: se kalimi mbi qafat e njerëzve është i ndalur në mënyrë kategorike ditën e Xhum’ah dhe jo vetëm, për shkak të hadithit të Abdullah ibnu Busrin -radij’Allahu anhu- i cili thotë:
Një burrë erdhi ditën e Xhum’ah duke kaluar mbi qafat e njerëzve ndërsa Pejgamberi ﷺ ishte duke mbajtur khutben dhe Pejgamberi ﷺ i tha atij:
«Ulu, se i shqetësove njerëzit»
Transmetoi Ebu Daudi (1118), ibnu Maxheh (1115) e saktësoi El-Albanij në “Sahih Ebij Daud”.
Ka thënë el-Imam et-Tirmidhij -rahimehullah-: “Njerëzit e dijes e kanë urryer që një njeri të kalojë mbi qafat e njerëzve ditën e Xhum’ah dhe kanë qenë të ashpër në lidhje me këtë”. Mbaroi fjala e tij.
Këtë mendim kanë konsideruar të saktë një grup prej verifikuesve, siç është ibnul Mundhiri, ibnu Abdul Ber, En-Neueuij, shejkhul Islam ibnu Tejmijeh, ashtu siç gjendet në “el-Ikhtijaratul Fik’hijeh” (fq. 81) e të tjerë veç tyre. Dhe prej bashkëkohorëve, esh-shejkh ibnu Uthejmin.
Ka thënë ibnul Mundhir në “el-Mexhmua” (4/467) duke komentuar mendim për ndalimin e tij: sepse shqetësimi ndalohet, pak apo shumë qoftë ai, ky shqetësim, siç ka ardhur në hadithin sahih ku Pejgamberi ﷺ tha për atë që pa duke kaluar mbi qafat e njerëzve:
«Ulu se shqetësove njerëzit»
Ka thënë ibnu Abdul-Ber në “et-Temhid” (1/316): “Në fjalën e të Dërguarit të Allahut ﷺ për atë që kalon mbi qafat e njerëzve: «I shqetësove njerëzit» ka argument se kalimi mbi qafat e njerëzve është shqetësim dhe shqetësimi i muslimanit nuk lejohet, qoftë ai ditën e Xhum’ah apo ndonjë ditë tjetër.
Ka thënë en-Neueuij në “Reudatut Taalibine” (11/224): “Fjala e zgjedhur është se kalimi mbi qafat e njerëzve është i ndaluar për shkak të haditheve në lidhje me këtë.
Ka thënë esh-shejkh ibnu Uthejmin -rahimehullah- në “Feteua ue rasail” (16/147):
Kalimi mbi kokat e njerëzve është i ndaluar, gjatë khutbes dhe jashtë saj, për shkak të fjalës së Pejgamberit ﷺ kur pa atë burrin që kaloi mbi qafat e njerëzve:
«Ulu, se i shqetësove njerëzit»
Kjo përforcohet kur kjo ndodh gjatë khutbes, sepse i shqetëson njerëzit dhe i shpërqendron ata nga dëgjimi i khutbes edhe nëse kalimi është për të shkuar tek një vend vakant, sepse problemi ekziston dhe ai është shqetësimi i njerëzve.
Ka thënë esh-shejkh Salih el-Feuzan -Allahu e ruajttë-:
Nëse ka hapsirë (në rreshtat përpara) dhe nuk i kanë mbyllur ato dhe nuk ka rrugë tjetër për të arritur deri atje, vetëm se me anë kalimit mbi qafat e njerëzve, atëherë le të kalojë, nuk ka gjë, sepse ata janë fajtorë për lënien e kësaj hapsire.
Përktheu: Abdur-Rahman Mema