Al-lameh Abdul-Aziz ibnu Bãz rahimehullah:
Kur burri është i aftë dhe e dëgjon ezanin, e ka detyrë namazin me xhemat së bashku me vëllezërit e tij për hir të Allahut, në shtëpitë e Allahut azze ue xhel’le, xhamitë. Argument është Fjala e Allahut:
{وَأَقِیمُوا۟ ٱلصَّلَوٰةَ وَءَاتُوا۟ ٱلزَّكَوٰةَ وَٱرۡكَعُوا۟ مَعَ ٱلرَّ ٰكِعِینَ}
{Faleni namazin, jepeni zekatin dhe përkuluni me të përkulurit!} [El-Bekareh: 43]
Kuptimi i ajetit është që të faleni bashkë me namazlitë.
Argument është Fjala e Tij subhaneh:
{فِی بُیُوتٍ أَذِنَ ٱللَّهُ أَن تُرۡفَعَ وَیُذۡكَرَ فِیهَا ٱسۡمُهُۥ یُسَبِّحُ لَهُۥ فِیهَا بِٱلۡغُدُوِّ وَٱلۡـَٔاصَالِ (36) رِجَالࣱ لَّا تُلۡهِیهِمۡ تِجَـٰرَةࣱ وَلَا بَیۡعٌ عَن ذِكۡرِ ٱللَّهِ وَإِقَامِ ٱلصَّلَوٰةِ وَإِیتَاۤءِ ٱلزَّكَوٰةِ یَخَافُونَ یَوۡمࣰا تَتَقَلَّبُ فِیهِ ٱلۡقُلُوبُ وَٱلۡأَبۡصَـٰرُ (37)}
{Në xhamitë, për të cilat Allahu ka urdhëruar të ngrihen (të pastrohen e nderohen) e të përmendet aty Emri i Tij, Atij i ngrenë lavde mëngjes e mbrëmje njerëz të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahun, njerëz të cilët e falin përsosmërisht Namazin, e japin Zekatin dhe kanë frikë nga një Ditë (nga Dita e Kijametit), gjatë së cilës zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara!} [Nur: 36-37]
Argument është fjala e Profetit ﷺ:
«Kush dëgjon thirrjen e ezanit dhe nuk vjen, nuk ka namaz për të, përveç nëse ka arsye!»
U pyet Ibnu Abbãsi radijAllahu anhuma: Çfarë konsiderohet arsye?
Tha: Frika ose sëmundja.
Ka transmetuar Muslimi në Sahihun e tij se një burrë i verbër tha: O i Dërguari i Allahut, nuk kam udhërrëfyes që të më tregojë rrugën për në xhami, ndaj a kam arsye që të falem në shtëpinë time?
Profeti ﷺ i tha atij:
«A e dëgjon thirrjen për namaz?»
Tha: Po
Tha: «Përgjigju!»
Gjithashtu, transmetohet nga Abdullah ibnu Mesúd radijAllahu anhu se ka thënë:
“Kush dëshiron ta takojë Allahun nesër si musliman, le të përkujdeset për namazet kur thirret ezani për to! Me të vërtetë, Allahu i ligjësoi për Profetin tuaj udhët e udhëzimit; pa dyshim se ato janë udhët e udhëzimit! Nëse ju do faleshit në shtëpitë tuaja, siç falet ky burrë që rri në shtëpi, do ta linit praktikën e Pejgamberit tuaj; e nëse do ta linit praktikën e Pejgamberit tuaj, do të devijonit! Më kujtohet koha kur ai që rrinte larg namazit me xhemat ishte thjesht një hipokrit i njohur me hipokrizi; gjithashtu, më kujtohet kur një burrë, derisa të qëndronte në saf, e sillnin në krahë (për shkak të dobësisë) dy burra.”
Hadithet me këtë kuptim janë të shumta.
Këshilla ime për çdo musliman është që t’i frikësohet Allahut, të përkujdeset për namazin me xhemat dhe të ketë kujdes nga përngjasimi me hipokritët, të cilët i shmangen atij.
Allahu më dhëntë sukses mua dhe të gjithë muslimanëve në atë që Ai e do! E lusim të na ruajë nga shkaqet që sjellin Zemërimin e Tij! Vërtet, Ai është Dëgjuesi, i Cili është afër.
📚 مجموع فتاوى ومقالات الشيخ ابن باز” (30/108)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema