U përgjigj el-ál’lameh Abdul-Aziz ibnu Bãz -Allahu e mëshiroftë-:
Namazi i burrit me vëllezërit e tij për hir të Allahut me xhemat në shtëpitë e Allahut -azze ue xhel’le- dhe ato janë xhamitë, është detyrë për atë që është i aftë si dhe e dëgjon ezanin, për shkak të Fjalës së Allahut:
{وَأَقِیمُوا۟ ٱلصَّلَوٰةَ وَءَاتُوا۟ ٱلزَّكَوٰةَ وَٱرۡكَعُوا۟ مَعَ ٱلرَّ ٰكِعِینَ}
{Faleni Namazin dhe jepeni Zekatin dhe përkuluni me të përkulurit} [el-Bekareh: 43]
Kuptimi i saj është faluni me falësit.
Dhe për shkak të Fjalës së Tij -subhãnehu-:
{فِي بُيُوتٍ أَذِنَ اللَّهُ أَنْ تُرْفَعَ وَيُذْكَرَ فِيهَا اسْمُهُ يُسَبِّحُ لَهُ فِيهَا بِالْغُدُوِّ وَالْآصَالِ رِجَالٌ لَا تُلْهِيهِمْ تِجَارَةٌ وَلَا بَيْعٌ عَنْ ذِكْرِ اللَّهِ وَإِقَامِ الصَّلَاةِ وَإِيتَاءِ الزَّكَاةِ يَخَافُونَ يَوْمًا تَتَقَلَّبُ فِيهِ الْقُلُوبُ وَالْأَبْصَارُ}
{36. Në xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty Emri i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe mbrëmje,
37. njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahut dhe të cilët falin Namazin dhe japin Zekatin dhe të cilët kanë frikë nga Dita (e Kiametit), kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara}
Për shkak të fjalës së Pejgamberit ﷺ:
«Kush dëgjon thirrjen e ezanit dhe nuk vjen, nuk ka namaz për të, vetëm nëse ka arsye»
U pyet ibnu Abbãs -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij-:
Cila është arsyeja?
Tha: “frika ose sëmundja”
Ka përcjellë Muslimi në Sahihun e tij se një burrë i verbër tha: o i Dërguar i Allahut nuk kam kallauz që të më tregojë rrugën për në xhami, a kam arsye që të falem në shtëpinë time?
Pejgamberi ﷺ i tha atij:
«A e dëgjon thirrjen për namaz?»
Tha: po
Tha: «Përgjigju»
Transmetoi Muslimi në “Sahihun” e tij.
Gjithashtu, transmetohet nga Abdullah ibnu Mesúd -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- se ka thënë:
“Kush dëshiron ta takojë Allahun nesër si musliman, le të përkujdeset për ato namaze kur thirret ezani për to, me të vërtetë Allahu i ligjësoi për Pejgamberin tuaj udhët e udhëzimit dhe me të vërtetë ato janë udhët e udhëzimit, e nëse ju do të faleshit në shtëpitë tuaja, siç falet ky burrë që rri në shtëpinë e tij, do të linit praktikën e Pejgamberit tuaj, e nëse do ta linit praktikën e Pejgamberit tuaj do të devijonit.
Më kujtohet koha kur ai që rrinte larg tij nuk ishte vetëm se një hipokrit i njohur me hipokrizi dhe kur një burrë e sillnin në krahë (për shkak të dobësisë) dy burra derisa të qëndronte në rresht”
Hadithet me këtë kuptim janë të shumta.
Këshilla ime për çdo musliman është që t’i frikësohet Allahut dhe të përkujdeset për Namazin me xhemat dhe të ketë kujdes nga përngjasimi me hipokritët që i shmangen atij.
Allahu më dhëntë sukses mua dhe të gjithë muslimanëve në atë që Ai e do dhe të na ruajë nga shkaqet që sjellin Zemërimin e Tij, me të vërtetë Ai është Dëgjuesi, që është afër.
📚 مجموع فتاوى ومقالات الشيخ ابن باز” (30/108)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema