Loading

Është e pëlqyer për atë që vjen për të falur Xhumanë që të falë namaz nafile (vullnetar) përpara saj, me aq sa të ketë mundësi, që nga koha e hyrjes në xhami e derisa khatibi të dalë përpara njerëzve, duke mos pasur një numër të caktuar rekatesh, fal 2 rekate, 4 rekate, 6 rekate apo 12 rekate, aq sa t’ja ketë caktuar Allahu.

Ka transmetuar el-Bukharij (883) dhe Muslimi (857) prej hadithit të Selman el-Farisit -radij’Allahu anhu- se ka thënë: Ka thënë Profeti ﷺ:

«Kushdo që lahet ditën e Xhum’ah, pastrohet aq sa mundet prej pastrimit, lyhet me vaj apo lyhet me erë të mirë të shtëpisë së tij, më pas del dhe nuk i ndan dy veta, më pas falet aq sa është shkruar për të, më pas hesht kur flet imami, i falen atij gjynahet në mes kësaj Xhumaje dhe Xhumasë tjetër»

Ka thënë ibnu Haxher -rahimehullah-:

Fjala e tij: “dhe falet aq sa është shkruar për të” tregon për ligjshmërinë e namazit nafile përpara namazit të Xhum’asë.

📚 فتح الباري” (٣٧٢/٢)”

Trasmeton ibnu Ebij Malik se në kohën e Umer ibnul Khattab -radij’Allahu anhu- ata u falnin ditën e Xhum’ah derisa dilte Umeri.

📚 Transmetoi imam Malik në “el-Mu’ata” (1/103), e ka saktësuar en-Neueuij në “Mexhmu’a” (4/550)

Transmetohet nga Nafi’u se: Ibnu Umeri -radij’Allahu anhuma- falte përpara Xhumasë 12 rekate, e ka cekur ibnu Rexheb në “Fet’hul Barij” (8/329) duke e referuar tek “Musanef” Abdur-Rezaak.

Ka thënë shejkhul Islam ibnu Tejmijeh -rahimehullah-:

Kjo është përcjellë nga Sahabët, ata kur vinin në xhami ditën e Xhum’ah faleshin aq sa mundeshin, prej tyre kishte që falnin, 4 rekate, kishte që falnin 12 rekate, kishte që falnin 8 rekate dhe kishte prej tyre që falnin më pak se kaq.

📚 مجموع الفتاوى” (١٨٩/٢٤)”

Ka thënë el-Imam ibnul Kajjim -rahimehullah-:

Nuk është e urryer falja e namazit në kohën e zenitit, tek esh-Shafi’ij -rahimehullah- dhe tek ata që janë pajtuar me të dhe kjo është ajo që ka zgjedhur shejkhu ynë Ebul Abbaas ibnu Tejmijeh dhe ai nuk u mbështet tek hadithi të cilin e transmeton Lejthi nga Muxhahidi nga Ebil Khalil nga Ebij Katadeh nga Pejgamberi ﷺ se ai e urrente namazin në gjysmën e ditës përveç ditës së Xhum’ah.

Dhe tha: “me të vërtetë Xhehennemi ndizet përveç ditës së Xhum’ah, porse ai mbështetej tek ajo se kush vinte për të falur Xhumanë ishte e pëlqyer për të që të falej derisa të dilte imami…”

Përmendi hadithin e Selmanit -radij’Allahu anhu- dhe më pas tha: e drejtoi (atë që vjen për Xhum’ah) që sa të jetë shkruar për të dhe nuk e ndaloi atë përveç se në kohën kur del imami.

Për këtë arsye kanë thënë më shumë se një prej selefëve, prej tyre Umer ibnul Khattab -radij’Allahu anhu- dhe e pasoi atë el-Imam Ahmed ibnu Hanbel rahimehullah-: dalja e imamit bën të ndaluar namazin dhe khutbja e tij bën të ndaluar fjalosjen, e bënë ndalesën për faljen e namazit daljen e imamit dhe jo gjysmën e ditës.

📚 زاد المعاد” (٣٦٥/١)”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: