Loading

Pyetje: Çfarë gjykimi sheriatik ka ndërrimi i vendit pas përfundimit të namazit farz, me qëllim faljen e sunnetit?

Al-lameh Ibnul Uthejmin rahimehullah:

Fukahatë rahimehumullah kanë përmendur se është sunnet ndarja e sunneteve nga namazet farz, ose me fjalë, ose me ndërrimin e vendit; e gjithë kjo për shkak të hadithit të Mu’auijes radij’Allahu anhu i cili ka thënë:

“I Dërguari i Allahut ﷺ na ka urdhëruar që të mos falim një namaz duke e shoqëruar me një tjetër, derisa të dalim apo të flasim.”

Bazuar mbi këtë, më e mira është që të bësh një ndarje mes namazit farz dhe atij sunnet, ama ka diçka akoma më të mirë sesa kjo: falja e sunnetit në shtëpi, sepse falja e sunneteve aty është më e mirë sesa falja e tyre në xhami, madje edhe më e mirë sesa në Haremin e Mekkës.

Ka thënë Profeti sal’lAllahu alejhi ue sel’lem: “Namazi më i mirë për njeriun është në shtëpinë e tij, përveç namazit farz.”. Këtë e tha Profeti alejhis salatu ues selãm ndërkohë që ishte në Medine, në xhaminë e tij, xhami në të cilën namazi është një mijë herë më i mirë sesa në xhamitë e tjera, përveç Xhamisë së Mekës. Dhe ai vetë i falte sunnetet në shtëpi.

Disa njerëz mendojnë se nafilet në Xhaminë e Mekës apo në Xhaminë profetike janë më të mira, por nuk është ashtu. Sidoqoftë, nëse supozojmë se një person ka punë apo ka frikë se pasi del nga xhamia harron t’i falë sunnetet, themi: Më mirë falu në xhami. Gjithashtu, nëse në shtëpinë e tij ka fëmijë shumë dhe ka frikë nga zhurmat, edhe në këtë rast namazi në xhami është më i mirë.

Gjithsesi, përveç farzeve, namazi në shtëpi është më i mirë, sepse namazi në shtëpi është larg syefaqësisë: në shtëpi, vetëm familja mund të të shohë ndërsa je duke u falur, ama në xhami të shohin të gjithë; gjithashtu, falja jote në shtëpi është mësim për pjesëtarët e familjes: fjala vjen, kur je duke u falur dhe ke fëmijë të vogël, dy apo tre vjeç, e sheh që vjen dhe falet me ty, edhe pse ti nuk e ke urdhëruar për t’u falur, ndaj namazi nafile (vullnetar) në shtëpi ka dobi madhështore.

Krahas këtyre, me këtë gjë ti i shmangesh asaj që ka ndaluar i Dërguari i Allahut ﷺ në fjalën e tij: “Mos i ktheni shtëpitë tuaja në varreza!”  Domethënia: mos i ktheni si varrezat, vende në të cilat nuk lejohet namazi.

Këto pra janë tri dobitë: së pari, falja në shtëpi është larg nga syefaqësia; së dyti, është mësim për njerëzit e familjes; së treti, largimi nga ajo që ka ndaluar Profeti ﷺ.

📚 “Mexhmu’ul Feteua ue resailush shejkh Muhamed bin Saalih el-Uthejmin” vëllimi 14/kapitulli namazi i vullnetar

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: