Pyetje drejtuar dijetarit të madh Abdul-Aziz ibnu Bāz-Allahu e mëshiroftë-:
Çfarë gjykimi ka namazi i duhasë? Unë personalisht kam pyetur rreth tij më shumë se një nxënës dijeje dhe më janë përgjigjur me një numër përgjigjesh të ndryshme, prej tyre: hadithet që kanë ardhur në lidhje me të nuk janë të saktë, ndaj lëre.
Dikush tha: përkundrazi, ta falësh.
Dikush tjetër tha: e fal kush të dëshirojë, kur të dëshirojë, sa rekatë të dëshirojë.
Dikush tha: e fal një ditë dhe e lë një ditë.
Për këtë arsye iu drejtova programit “Dritë në rrugë” dhe shpresoj që Allahu të na e ndriçojë rrugën; gjithashtu, shpresoj që të mos pyes në një vend tjetër. Allahu ju dhëntë sukses!
Pērgjigjia e shejhut rahimehullah:
Namazi i Duhasë është sunnet i fortë; më e pakta e tij është 2 rekate dhe më e mira 8 rekate; nëse fal më shumë, 10 ose 12 ose më shumë se aq, nuk ka problem. Është vërtetuar nga ai ﷺ se e fali atë 8 rekate ditën e çlirimit të Mekës dhe është vërtetuar nga ai se e porositi për të Ebud Derdān dhe Ebu Hurejrën. Ka ardhur në hadith sahih nga Pejgamberi ﷺ se ai porositi Ebu Hurejrën dhe Ebud Derdān për tri gjëra: namazin e duhasë, agjērimin e tri ditëve të çdo muaji dhe për faljen e vitrit përpara se të flenë.
Është vërtetuar në hadith sahih nga Ebu Dher -radij Allahu anhu- se Pejgamberi ﷺ, kur u pyet rreth lëmoshës së njerëzve të pasur dhe faktit se ata ua kanë kaluar duke dhënë lëmoshë me paratë e tyre, tha: a nuk ju ka mundësuar Allahu se me çfarë të jepni lëmoshë?!
Me të vërtetë, çdo tesibihah (thënia: Subhān Allah) që bëni është sadakah (lëmoshë), çdo tehlileh (thënia “La ilahe il-lAllah) është sadakah, çdo tehmideh (thënia “El-hamdu lilah”) është sadakah, urdhërimi për të mirë është sadakah, ndalimi nga e keqja është sadakah. Dhe në një transmetim tjetër ka thënë:
Dhe dy rekate prej namazit të duhasë mjaftojnë.
Kjo tregon se dy rekatet e duhasë ia zëvëndësojnë besimtarit sadakatë të cilat janë të ligjëruara që t’i japë për nyjet dhe gjymtyrët e tij. Kjo tregon për fortësinë e tij dhe për faktin se ai është namaz madhështor, sunnet i fortë dhe ka hajër të madh në faljen e tij.
Është e pëlqyer falja e duhasë çdo ditë.
Kanë thënë disa selefë: “me të vërtetë, ai falet një ditë po e një ditë jo.”, por e sakta është se ai falet çdo ditë, sepse Pejgamberi ﷺ e ka lënë porosi dhe nxiti për të. Kjo tregon se ai është sunnet çdo ditë, nëse e ke të lehtë. Sidoqoftë, nuk është uaxhib, ndaj ai që e lë ndonjëherë, nuk ka problem, madje edhe nëse e lë gjithmonë, nuk ka problem, sepse është sunnet i fortë, ashtu si vitri, ashtu si sunnetet përpara dhe pas farzit, ashtu si sunneti i drekës, akshamit, jacisë dhe sabahut; të gjitha janë sunnet, të gjitha janë namaze vullnetare, ndaj nëse njeriu i lë, nuk merr gjynah. Sidoqoftë, më e mira dhe më parësorja është që të kujdeset për to, sepse kanë shpërblim të madh, sepse me to plotëson farzet; dhe namazi i duhasë është prej tyre; është sunnet i fortë në të gjitha kohët. Sa i takon asaj se Pejgamberi ﷺ nuk kujdesej për të, ndoshta e bënte këtë gjë që mos t’ia vështirësonte ummetit të tij: nëse ai do të kujdesej për të, do të shtohej fortësia e tij, dhe ndoshta kjo gjë u krijonte vështirësi disa njerëzve; ose për shkak të punëve të shumta të tij alejhis salātu ues selām; ose sepse sunneti vërtetohet me tri gjëra: me fjalë, me vepra dhe aprovim (nga Profeti alejhis salatu uesselam). Pejgamberi ﷺ e ka falur duhanë, e ka aprovuar dhe ka porositur për të; të gjithë këtë e ka vepruar ai alejhis salātu ues selām. E ka falur duhanë në ditën e çlirimit të Mekës dhe e ka falur në kohë (periudha) të tjera.
Ka thënë Aishja radijAllahu anha:
“Pejgamberi ﷺ e falte namazin e duhasë 4 rekate; dhe shtonte sa të dëshironte.” Transmetoi Muslimi.
E kanë falur edhe sahabët radijAllahu anhum. Kjo tregon se ai është sunnet i fortë. E aprovoi, e porositi dhe e veproi atë Pejgamberi ﷺ.
📚 “نور على الدرب” (١٠ /٣٩٢-٣٩٤)”
🔊 https://binbaz.org.sa/fatwas/13715/حكم-صلاة-الضحى-وعدد-ركعاتها
Përktheu: Abdur-Rahman Mema