Loading

Shejkh El-Albanī rahimehullah ka thënë:

1- Në varrezë; dhe ajo është një vend në të cilin varroset qoftë edhe një njeri i vetëm

«Mallkimi i Allahut qoftë mbi jehudët dhe të krishterët! Ata i morën varret e profetëve të tyre për vende adhurimi!»

[Buhariu dhe Muslimi]

2- Xhamia që është ngritur mbi varreza

«Me të vërtetë, nëse në mesin e tyre (të krishterëve) gjendej një njeri i devotshëm dhe vdiste, ndërtonin mbi varrin e tij një vend adhurimi dhe vizatonin pamjen përkatëse (të njeriut). Ata janë krijesat më të këqija Ditën e Kijametit!»

[Bukhariu dhe Muslimi]

3- Vathët ku rri deveja

«Faluni në vathët e deleve dhe mos u falni në vathët e deveve!»

Kjo fjali është në Musnedin e imam Ahmedit.

4- Nevojtorja

«Toka, përveç varrezave dhe nevojtoreve, është e gjitha vend për t’u falur.»

5- Të gjitha vendet ku prezanton shejtani, siç janë vendet e degjenerimit dhe shthurjes apo vendet si kisha…

Kjo për shkak të hadithit të Ebij Hurejres radij-Allahu anhu i cili ka thënë: Fjetëm me të Dërguarin e Allahut dhe u zgjuam pas lindjes së diellit. Profeti ﷺ tha: «Çdonjëri le ta kapë kafshën e tij të udhëtimit prej kapistre! Me të vërtetë, në këtë vend ka prezantuar shejtani, ndaj këtu nuk falet namazi.»

6- Vendi që është marrë me forcë ose padrejtësisht. Për këtë shkak, namazi në këtë vend është haram me konsensus të dijetarëve; siç e ka përcjellë Neueuiu.

7- Xhamia që u ndërtua për t’u bërë dëm muslimanëve, xhami e cila është afër xhamisë Kuba; gjithashtu, çdo xhami tjetër e cila është ndërtuar për t’u bërë dëm muslimanëve dhe për t’i përçarë.

Kjo për shkak të Fjalës së Allahut të Lartësuar (kuptimi shqip):

{ وَٱلَّذِینَ ٱتَّخَذُوا۟ مَسۡجِدࣰا ضِرَارࣰا وَكُفۡرࣰا وَتَفۡرِیقَۢا بَیۡنَ ٱلۡمُؤۡمِنِینَ وَإِرۡصَادࣰا لِّمَنۡ حَارَبَ ٱللَّهَ وَرَسُولَهُۥ مِن قَبۡلُۚ … (107) لَا تَقُمۡ فِیهِ أَبَدࣰاۚ … (108) }

{Dhe ata të cilët ndërtuan një xhami për t’u shkaktuar dëm (besimtarëve), për të forcuar mohimin, për të formuar përçarje në mesin e besimtarëve dhe si mbështetje për ata që më parë luftuan kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij… Ti në atë xhami mos u fal kurrë!}

8- Vendet e fundosura dhe të dënimit. Në ato vende nuk lejohet kategorikisht as hyrja; vetëm nëse hyn duke qarë dhe duke pasur frikë Allahun e Lartësuar.

Kjo për shkak të fjalës së tij ﷺ (kur kaloi nëpër luginën shkëmbore): “Mos hyni në vendbanimet e atyre të cilët u dënuan (banorët e luginës shkëmbore); vetëm nëse hyni duke qarë; e nëse nuk hyni duke qarë, atëherë mos hyni fare, sepse kam frikë se ju godet ajo çka goditi ata!”

Më pas i Dërguari i Allahut ﷺ mbuloi kokën (me pjesën e epërme të rrobës, ndërsa ishte mbi deve) dhe nxitoi derisa e kaloi luginën.

9- (Rasti kur) Vendqëndrimi i imamit është më i lartë se vendi i atyre që falen pas tij.

“Ka ndaluar i Dërguari i Allahut që imami të qëndrojë sipër diçkaje dhe njerëzit pas – domethënë poshtë tij.”

[Trans. Ed-Dãra Kutnī dhe el-Hãkim]

10- Vendi midis kolonave, në rastin kur aty rreshtohen ndjekësit.

Ka thënë Abdul Hamid bin Mahmud: “U falëm pas një prijësi prej prijësve dhe njerëzit na detyruan që të faleshim midis dy kolonave. Kur u falëm, Enesi radij Allahu anhu tha: Në kohën e të Dërguarit të Allahut ne e shmangnim këtë gjë.”

Transmetojnë Ebu Daudi, En-Nesa’i, Et-Termidhij, el-Hakim dhe Ahmedi.

📚 “Eth-Themerul Mustetab fij fik’his sunneti uel Kitab”. Autor: shejkh el-Albanij.

✍ Përktheu: Abdur-Rahman Mema

__
Shënim i përkthyesit.

Gjithashtu, nga vendet ku nuk lejohet të falesh është edhe ky rast:

11- Falja në një vend që është përpara imamit.

Kjo për shkak të fjalës së të Dërguarit të Allahut
ﷺ: «Imami është vënë që t’u prijë njerëzve, ndaj mos e kundërshtoni!»

[Bukhariu dhe Muslimi]

Shpërndaje: