Loading

Pyetje drejtuar shejkh Ibnu Bazit rahimehullah

Përgjigjja:
Namazi i xhenazes në mungesë ka shtjellim

Disa dijetarë e shohin se nuk falet namazi xhenazes në mungesë, ndërsa disa të tjerë e lejojnë që të falet. Por nëse i vdekuri që ndodhet larg ka pozitë të madhe në Islam, si rasti i Nexhashiut (Allahu e mëshiroftë), atëherë Profeti ﷺ fali namaz xhenazeje në mungesë për të, kur ai vdiq në vendin e tij.

Profeti ﷺ i njoftoi sahabët dhe i falën atij namazin e xhenazes në mungesë. Nuk është vërtetuar nga i Dërguari ﷺ një namaz i tillë për ndonjë tjetër përveç këtij hadithi.

Prandaj, nëse i vdekuri është një udhëheqës i drejtë dhe i mirë, atëherë falet për të namazi i xhenazes në mungesë, dhe prijësi (i vendit) urdhëron që të falet namazi për të në mungesë.

Po ashtu, nëse janë dijetarë të së vërtetës ose thirrës të udhëzimit, atëherë falja e namazit të xhenazes në mungesë për ta është diçka e mirë, ashtu siç bëri Profeti -alejhis salātu ues-selām- për Nexhashiun.

Ndërsa për individët e thjeshtë, nuk është e ligjshme që të falet namaz xhenazeje në mungesë për ta; sepse i Dërguari ﷺ nuk fali namaz për çdo të vdekur në mungesë. Ai fali vetëm për një njeri i cili kishte shërbime të mëdha në Islam, sepse Nexhashiu kishte strehuar emigrantët prej sahabëve që kishin emigruar në Abisini, i kishte mbrojtur, ndihmuar dhe u kishte bërë mirë. Për këtë arsye, Profeti ﷺ e fali për të kur ai vdiq, dhe bashkë me të e falën edhe sahabët.

Pra, kushdo që ka këtë pozitë, që ka lënë gjurmë të mëdha në Islam, atëherë është e lejueshme që të falet namaz xhenazeje në mungesë për të, siç bënë muslimanët në këto vende kur vdiq Dijaul Ḥak, presidenti i Pakistanit (Allahu e mëshiroftë).

Për shkak të qëndrimeve të tij të mira islame, sundimtari i vendit urdhëroi që të falej për të në dy xhamitë e shenjta dhe iu fal namazi i xhenazes në mungesë, sepse ai ishte i denjë për këtë, për shkak të qëndrimeve të tij fisnike, kujdesit për zbatimin e sheriatit, dhe urdhërimit për të. I lutemi Allahut që të na falë ne dhe atë.

Pra, qëllimi është se kushdo që ka një pozitë të tillë – prej sundimtarëve muslimanë ose prej dijetarëve muslimanë – nëse vdes në një vend tjetër ose edhe në vendin e tij, është e lejuar që muslimanët në vende të tjera ta falin namazin e xhenazes në mungesë. Po.

Moderatori: Vëllai ynë pyet edhe për një çështje tjetër, nëse lejohet që të falet namazi i xhenazes para varrimit?

Shejhu: Lejohet që të falet para varrimit. Po, para varrimit dhe pas tij.

Moderatori: Pra, para varrimit dhe pas tij.

Shejhu: Po.

Moderatori: Po për të vdekurin që është i pranishëm dhe për atë që është në mungesë, është njësoj, Shejh Abdulaziz?

Shejhu: Po.

Moderatori: Pra, i pranishmi dhe ai që mungon janë njësoj.

Shejhu: Po. Për të pranishmin është e njohur se falesh për të para se të varroset. Sunneti është që të falet para varrimit. Ndërsa për të munguarit, kur të marrin vesh se ka vdekur, falen për të edhe para varrimit.

Moderatori: Edhe para varrimit.

Shejhu: Po.

Moderatori: Allahu ju shpërbleftë me të mira.

📚 “فتاوى نور على الدرب” لابن باز، بعناية الشويعر (١٤/‏٣٢).

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: