Loading

Hafizi ibnu Rexheb -Allahu e mëshiroftë- thotë:

Përderisa agjërimi ishte diçka e fshehtë mes robit dhe Zotit të tij, njerëzit e sinqertë mundoheshin që ta fshihnin atë me çdo mënyrë, aq sa  askush nuk e merrte vesh.

Disa njerëz të devotshëm kanë thënë: na kanë treguar se Isa ibnu Merjem -alejhis selam- ka thënë: nëse dikush nga ju ka ditën e agjërimit, le t’i lyejë mjekrrën dhe buzët me yndyrë, kësisoj, kur ta vështrojë dikush, të mendojë se ai nuk është agjerueshëm.”

Transmetohet nga ibnu Mes’ud -radij Allahu anhu- se ka thënë:

Nëse dikush nga ju gdhihet agjërueshëm, le ta krehë mjekrrën dhe ta lyejë me yndyrë; e nëse jep lëmoshë nga e djathta, le t’ia fshehë të majtës; e nëse fal namaz vullnetar, le ta falë brenda shtëpisë së tij.

Ka thënë Ebut Tejaah: e kam mbërritur tim atë dhe burrat e moshuar të lagjes; nëse dikush prej tyre agjëronte, lyhej me yndyrë dhe vishte rroba të mira.

Dikush nga selefët ka agjëruar 40 vjet dhe askush nuk e dinte. Ai kishte një dyqan; çdo ditë merrte nga shtëpia dy kothere buke dhe nisej për në dyqan. Gjatë rrugës, dy kotheret e bukës i jepte lëmoshë. Rrjedhimisht familja e tij mendonte se i kishte ngrënë në treg, ndërsa tregtarët mendonin se i kishte ngrënë në shtëpi, përpara se të vinte.

Disa njerëz të devotshëm ishin njohur për agjërimin e tyre të shumtë. Dikush prej tyre ngrihej ditën e Xhuma në xhami dhe merrte ibrikun e ujit, vendoste lëfytin e ibrikut në gojën e tij dhe e thithte. Njerëzit e vështronin, por në fytin e tij nuk kalonte asgjë. E bënte me qëllim që të mohonte atë nam me të cilin ai ishte i njohur, pra namin e agjëruesit të fortë. Eh, sa shumë i fshihnin njerëzit e sinqertë gjendjet e tyre!

📚 لطائف المعارف” (ص ٣٨)”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: