🔘 Gjykimi i agjërimit të ditës së Ashurasë:
Kur u bë detyrim agjërimi i Ramazanit, në vitin e dytë të Hixhretit, u anulua detyrimi për agjërimin e Ashurasë dhe kësisoj u bë i pëlqyeshëm. Ajo mbeti detyrim vetëm për 1 vit. Argumenti për këtë është hadithi Aishes radij’Allahu anha e cila ka thënë:
E agjëronim Ashuranë përpara se të bëhej detyrim Ramazani; dhe ishte atë ditë kur u mbulua Qabja. Kur Allahu e bëri detyrim Ramazanin, i Dërguari i Allahut ﷺ tha:
«Kush dëshiron që ta agjerojë (Ashuranë), le ta agjerojë; dhe kush dëshiron të mos e agjërojë, le të mos e agjërojë.»
📚 Sahihul Bukharij (Hadithi nr.1592)
•••━════✿═════━••
🔘 Argumenti për agjërimin e ditës së Ashurasë
Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ:
«Dhe shpresoj që me agjërimin e ditës së dhjetë të Muharremit, Allahu t’i shlyejë gjynahet e vitit pararendës.»
📚 Transmetoi Muslimi (1162)
•••━════✿═════━••
🔘 Çfarë është ‘Ashuraja?
Ajo është dita e dhjetë e muajit të Allahut, Muharremit.
•••━════✿═════━••
🔘 Pëlqyeshmëria e agjërimit të ditës së nëntë me ditën e dhjetë
Transmetohet nga Abdullah ibnu Abbāsi radij’Allahu anhuma se ka thënë: kur agjëroi i Dërguari i Allahut ﷺ ditën e dhjetë, urdhëroi për agjërimin e saj.
I thanë: o i Dërguari i Allahut, ajo është një ditë të cilët e madhërojnë jehudët dhe të krishterët. I Dërguari i Allahut ﷺ tha:
«Vitin e ardhshëm insha’Allah do agjërojmë edhe ditën e nëntë.»
Thotë Ibnu Abbāsi radij’Allahu anhuma: Ama i Dërguari i Allahut ﷺ vdiq përpara se të mbërrinte viti i ardhshëm.
📚 Transmetoi Muslimi (Hadithi nr. 1134)
Ka thënë Ibnu Kajjim el-Xheuzijeh rahimehullah: format e agjërimit janë tre:
1) Më e mira është që krahas Ashurasë të agjërohen gjithashtu dita pararendëse dhe ajo që e pason.
2) Vjen pas saj (në vlerë) agjërimi i ditës së nëntë dhe ditës së dhjetë; e në lidhje me këtë kanë ardhur shumica e haditheve.
3) Më pas mbetet thjesht agjërimi tek i saj.
📚 “Zaadul Me’ad” (2/75)
•••━════✿═════━••
🔘 Përse e agjërojmë ditën e dhjetë të Muharremit?
Transmetohet nga Ibnu Abbās radij’Allahu anhuma se ka thënë: erdhi i Dërguari i Allahut ﷺ në Medine dhe pa jehudët duke agjëruar ditën e dhjetë të Muharremit.
U tha: «çfarë është kjo që po agjëroni?»
Thanë: kjo është ditë e mirë. Është dita kur Allahu i shpëtoi Benij Isra’ilët prej armikut të tyre; dhe Musa e agjëroi.
Tha: «Unë jam më meritor ndaj Musës sesa ju!» Kësisoj, e agjeroi (ﷺ) atë ditë dhe urdhëroi për agjërimin e saj.
📚 Transmetoi el-Bukharij (Hadithi nr. 2004).
Dhe fjala e tyre (“ditë e mirë”) ka ardhur në transmetimin e Muslimit:
Kjo është një ditë e madhe: Allahu atë ditë shpëtoi Musën dhe popullin e tij! Dhe e mbyti faraonin dhe popullin e tij!
•••━════✿═════━••
🔘 Gjykimi i veçimit të Ashurasë me agjërim?
Komisioni i Përhershëm për Fetva:
Lejohet agjërimi tek i ditës së Ashurasë, por më e mira është në agjërimin (shoqërues) të ditës pararendëse dhe asaj që e pason.
📚 “Feteual Lexhnetid Daimeh”, (Fetvaja nr. 13700)
•••━════✿═════━••
🔘 A i shlyen gjynahet e mëdha agjërimi i ditës së Ashurasë?
Shejkhul Islam Ahmed ibnu Tejmijjeh:
Abdesi, namazi, agjërimi i Ramazanit, agjërimi i ditës së Arafatit, agjërimi i Ashurasë shlyejnë vetëm gjynahet e vogla.
📚 “el-Feteua el-Kubra” (5/344)
🔘 Agjerimi i ashuras në udhëtim
Ez-Zuhrij, kur ishte në udhëtim, e agjëronte ditën e Ashurasë. I thanë: Përse e agjëron Ashuranë, ndërkohë që gjatë udhëtimeve në Ramazan nuk agjëron?
Tha: S’ka dyshim që ditët e lëna në Ramazan, mund të agjërohen më pas, ama dita e Ashurasë humbet.
📚 “سير أعلام النبلاء” للذهبي (٥ /٣٤٢)
Përktheu: AbduRrahman Mema