Ka thënë el-al’lameh Muhamed bnu Salih el-Uthejmin -rahimehullah-:
Sa i përket shenjave përgjatë saj ato janë:
1- Ajo natë është shumë e shëndritshme, kjo shenjë në kohën tonë nuk mund të vihet re, vetëm nëse del jashtë qytetit larg nga dritat e tij.
2- Qetësia, dmth qetësia e zemrës, hapja e gjoksit të besimtarit, ai gjen në veten e tij rehati, qetësi dhe hapje të gjoksit në atë natë më shumë sesa në netët e tjera.
3- Kanë thënë disa njerëz të dijes: Erërat gjatë saj janë të lehta, dmth: nuk ka në të furtunë dhe tufan, por është mot i përshtatshëm.
4- Se Allahu i mundëson njeriut që ta shoh atë në ëndërr, siç u ka ndodhur disa sahabëve.
5- Njeriu gjatë faljes ndjen kënaqësi dhe energji më shumë sesa në netët e tjera.
Ndërsa shenjat pas Natës së Kadrit janë:
Prej tyre: Dielli lind në mëngjesin e saj pa rrezatim të qartë, nuk është si ditët e tjera.
Sa i përket asaj që përmendet se qentë lehin më pak në atë natë ose nuk lehin fare, kjo nuk është e saktë, në disa raste njeriu vëren se në të gjitha 10 netët e fundit qentë lehin dhe nuk pushojnë.
Nëse dikush thotë: se çfarë dobie ka nga shenjat pas Natës së Kadrit?
Përgjigja është: se ajo është përgëzim për atë që mundohet në atë natë dhe i forcon atij besimin dhe bindjen dhe se kjo i shton atij shpresën për atë që ka bëre gjatë asaj nate.
Fjala e tij e autorit: “bën dua me atë që është transmetuar”
Dmth: Është e pëlqyeshme që të bëj dua me atë që është transmetuar nga Pejgamberi ﷺ dhe prej saj:
«O Allah, vërtet Ti je Falës i Madh, e do faljen, ndaj më fal mua»
Kjo është prej lutjeve të transmetuara, si dhe lutjet e shumta të transmetuara nga Pejgamberi ﷺ. Nuk ka ndonjë gjë nëse shtohet përtej asaj që është transmetuar.
Njerëzit kanë nevoja të ndryshme, dikush psh dëshiron të shërohet nga sëmundja, dikush dëshiron të bëhet i pasur, dikush dëshiron të martohet, dikush dëshiron fëmijë, dikush dëshiron dituri, kështu që njerëzit kanë nevoja të ndryshme.
Duhet ta dimë se lutjet e transmetuara janë më të mira dhe më të përsosura sesa lutjet që bëhen të rimuara, të cilat i bëjnë disa njerëz, i gjen ata që e zgjasin lutjen, thonë një rresht apo dy reshta në dua me një gjë të vetme në mënyrë që të përshtatet me rimën.
📚 الشرح الممتع” (٦ /٤٩٦-٤٩٨)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema